Ditën e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur që votat në zgjedhjet e 14 shkurtit për kandidatët e pa certifikuar do të shpallen të pavlefshme.
Kjo do të prekë kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurtin dhe dy deputetë të tjerë, të cilët për shkak të problemeve ligjore nuk janë certifikuar.
Sipas një sqarimi të Komisionit Qendror Zgjedhor do të numërohet vota për partinë dhe kandidatët e certifikuar, ndërsa nuk llogaritet vota që i jepet atij kandidati që s’është certifikuar, raporton Gazete Express.
“Nëse një subjekt politik ka të certifikuar 4 kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar 5 numra, në FLLK evidentohen këto 5 shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këta formularë bartën vetëm votat e kandidatëve të certifikuar.”– sqaron KQZ.
Megjithatë Vetëvendosje thotë se Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Bajram Mavriçi vazhdojnë të jenë pjesë e listës zgjedhore së Lëvizjes Vetëvendosje, edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka arritur të certifikohet për të marrë pjesë në zgjedhje.



