Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, u shpreh se 1 milionë e 260 mijë zgjedhësve u është ndërruar qendra e votimit pa e kërkuar ata.
Komentet Bylykbashi i bëri gjatë një interviste për Panorama TV, ku tha se kjo shkelje ndodh më masivisht në Durrës, ku sipas tij, fitorja e dukshme e kandidatit të opozitës, Igli Carës, e bën pushtetin të shkelë ligjin.
“Edhe në 2009 ODIHR u shpreh se zgjedhjet plotësuan standartet ndërkombëtare. Ju e dini që pushteti tani është i gjithë në duart e Ramës. Kemi një katalog të frikshëm të shkeljeve që po bën qeveria në nivel qëndror dhe vendor. Janë 1 milionë e 260 mijë zgjedhës që u është ndërruar qendra e votimit pa e kërkuar ata. Nëse në nivel Shqipërie kjo është në nivel 35 %, në Durrës kjo është në masën 54 %.
Frika i shtunë këta të krijojnë konfuzion. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit ka shkelur ligjin dhe nuk i ka njoftuar zgjedhësit sipas kodit zgjedhor. Në vitin 2022 ka qenë një numër record zgjedhësish që kanë votuar pa identifikimin e zgjedhësve me shenjën e gishtit. Numri shkoi nga 5500 në 2021 në 960 në 2022. Kjo për shkak të dhunimit të kutive të votimit, marrjen e kartave të identitetit të emigrantëve për të votuar.
Ne do i ndjekim penalisht dhe le ta provojnë ta bëjnë edhe këtë herë në Durrës, nuk do i ndahemi. Për sa kohë që Rama del dhe deklaron që rregullat e kodit zgjedhor janë kinezërira. Si mund të jenë kinezërira rregullat që janë miratuar me 3/5. Ai u thotë të gjithëve shkelini rregullat se jam unë që komandoj. Kanë bërë një tender ombrellë të paligjshëm dhe ka shpërthyer asfalti elektoral.
Qytetarët nuk janë budallenj, shkelja është flagrante. Kanë shpërndarë ndihma ekonomike apo bursa për nxënësit, të ndaluara me ligj në këtë kohë. Kryeministri dhe kryebashkiakët gjejnë shesh e bëjnë përshesh në këtë kohë. Kjo tregon një shqetësim të madh Vangjush Dako dhe Edi Rama, që kanë interesa për ato projekte korruptive. Janë interesa shumë të mëdha që fitorja e Igli Carës që është e dukshme, i bën të bëjnë vetëm një gjë, të shkelin ligjin. E kuptojnë që me votë nuk kanë mundësi.
Kjo është përpjekja që po bën Rama, Sako dhe Dako. Nuk ka ekuivok, pas 23 vitesh se çfarë mund të ofrojnë. Kanë 23 vite që e kanë bërë këtë qytet gropë. Durrësi mund të ishte një xhevair në Shqipëri, por është kthyer në një fjetore të madhe”, u shpreh Bulykbashi.
