Gjykata Kushtetuese ka reaguar në lidhje me vendimin, për të dërguar çështjen e zgjedhjeve të 30 qershorit të 2019-ës në Komisionin e Venecias.

Në reagimin e saj, Kushtetuesja e ka cilësuar padinë e Shoqatës së Bashkive për zgjedhjet, si të një natyre unike, e shton, se këshillimi me organe të specializuara, siç është Komisioni i Venecias, është i nevojshëm.

Reagimi i Kushtetueses:

Gjykata Kushtetuese ka ndjekur diskutimet që ka ngjallur vendimmarrja e saj e datës 23.06.2021 për të kërkuar amicus curia nga Komisioni i Venecies për shqyrtimin e çështjes mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019.
Gjykata Kushtetuese, duke shprehur shqetësimin e saj rreth keqinterpretimeve dhe keqinformimit në lidhje me këtë vendimmarrje, ndjen për detyrë institucionale të informojë sa më poshtë vijon.

Ky vendim është i ndërmjetëm dhe mbështetet në nenin 44/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i shtuar në kuadër të ndryshimeve të reformës në drejtësi.
Objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecies, të cilat Gjykata Kushtetuese pa dyshim i mban gjithmonë në konsideratë. Për më tepër, në morinë e çështjeve të trajtuara që nga rifunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, ky është rasti i vetëm që ajo po e përdor këtë instrument.

Gjykata Kushtetuese i është drejtuar edhe më parë Komisionit të Venecies, si një organ i specializuar i Këshillit të Evropës me ekspertizë të thelluar në të drejtën kushtetuese dhe me një kontribut të çmuar në veprimtarinë e kësaj Gjykate në çështjet me rëndësi të veçantë.
Çështja mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 është e një natyre unike dhe këshillimi me organe të specializuara u konsiderua i nevojshëm nga kjo Gjykatë.

Gjykata Kushtetuese, në deklaratën e saj të fundit për mediet, ka theksuar rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj dhe ka shprehur besimin se ushtrimi i veprimtarisë të kësaj Gjykate në një klimë besimi nga kushdo do t’i shërbente forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur.

Gjykata konstaton se debati jokonstruktiv i ditëve të fundit jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por, përkundrazi, mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike, të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrjen e saj në lidhje me themelin e çështjes dhe si ndërhyrje në pavarësinë e saj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re