Nga: Hysmir Idrizi
Zhvillimi i zgjedhjeve lokale në komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës paraqet një përballje midis politikës dhe të drejtës (ligjit në një kuptim më të ngushtë). Sabotimi nga ana e popullsisë serbe i zgjedhjeve ka ndikuar në uljen drastike të pjesmarrjes në zgjedhje duke bërë që në disa komuna, pjesmarrja të jetë edhe 1%. Megjithatë, këtu lind një çështje e vlefshme për t’u trajtuar nga ana teorike dhe praktike.

Fillimisht, nevojitet një përkufizim i politikës dhe të drejtës. Së pari, politika është përpjekja e një shoqërie për t’u organizuar dhe qeverisur në institucione të cilat udhëheqin jetën sociale, ekonomike dhe ligjore. Por, në një shoqëri demokratike, cili është qëllimi final i politikës?

Së dyti, ligjet janë mjetet dhë mënyrat se si ky vullnet i shumicës së anëtarëve të shoqërisë formalizohet dhe materializohet në institucione. Por, në një rast kur ky vullnet politik nuk përputhet me kërkesat ligjore, cili do të jetë raporti ndërmjet politikës dhe të drejtës (ligjit në një kuptim më të ngushtë)?

Demokracia si formë e rregullimit shtetëror, ka si qëllim kryesor lirinë dhe se i gjithë organizimi politik ngrihet dhe ka vlefshmëri vetëm në raport me këtë objektiv. Në përgjithësi, institucionet mbajnë kryesisht një rol pasiv, në kuptimin e detyrimit për të mos ndërhyrë në ushtrimin ose mos-ushtrimin e të drejtave të njohura në kushtetutë dhe ligje. Pjesë e këtyre të drejtave është edhe e drejta e votës. Shteti në vetvete, ka detyrimin pozitiv për të mundësuar ushtrimin e kësaj të drejtë dhe të garantojë ushtrimin e lirë të saj. Rrjedhimisht, ushtrimi ose jo i të drejtës së votës nga subjektet e të drejtës (në një kuptim më të thjeshtë; qytetarët që përmbushin kushtet ligjore për të votuar dhe për t’u votuar) është fakultet absolut i vetë individit, i cili vetëm falë këtij atributi, konsiderohet subjekt i të drejtës.

Në demokraci, mënyra e qeverisjes dhe forma e saj përcaktohet nepërmjet votës së shumicës së anëtarëve të saj, me të drejtë vote. Megjithatë, në rastin në fjalë situata paraqitet e kundërta e asaj çfarë do të ndodhte në kushte normale. Rrjedhimisht në një situatë të tillë, mos-pjesmarrja në zgjedhje lokale e shumicës së anëtarëve me të drejtë vote, a ndikon në legjitimitetin e institucioneve të zgjedhura nga votat e pakicës (që në rastin më të mirë është 6%), për të përmbushur dhe ushtruar funksionet e tyre kushtetuese?

Për t’iu përgjigjur pyetjes, duhet të konsiderohet koncepti i politikës në kontekstin e demokracisë. Politika, siç u përmend më lartë është përpjekja e shoqërisë për t’u organizuar dhe qeverisur nga institucionet të cilat janë një shprehje e vullnetit të qytetarëve, të shprehur nepërmjet votës dhe të formalizuar dhe materializuar në ligje. Vota, në vetvete është një nga format me të natyrshme e mënyrës se si shprehet liria dhe vullneti në demokraci. Po ashtu, edhe mos-ushtrimit i kësaj të drejtë përbën një mënyrë të shprehjes së vullnetit.

Organizimi në institucione i shoqërisë mbartë në vetvetë një funksion ose qëllim fundor, të cilit i shërben. Ky funksion është vendosja e disa standardeve, me qëllim ruajtjen e disa ekuilibrave sociale, ekonomike dhe ligjore, në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme. Në ndryshim nga institucionet, individët mund të luhaten nga motive dhe interesa të ngushtë personal të cilat mund të jenë të paligjshëm, të pamoralshëm, duke cënuar kështu qëndrueshmërinë dhe vazhdueshmërinë e rendit ligjor. Tek individi në ndryshim nga institucioni mund të evidentohet qëndrime subjektive, në disa raste edhe radikale, të ndikuara nga rrethana të ligjshme ose të paligjshme, morale apo amorale, politike apo apolitike e kështu me rradhë. Ndërsa institucioni shëmbellën formatin më të mirë të një individi të matur dhe të drejtë, vullnet i të cilit do të ushtrohet vetëm në përputhje dhe për zbatim të parimeve dhe rregullave të njohura universalisht, nga historia, përvoja apo kultura shtetformuese. Në këtë mënyrë, do të argumentonte Aristoteli tezën e tij nëse qeverisja është më efektive nga institucionet apo nga individët.

Mos-pjesmarrja në zgjedhje e shumicës mund të përceptohet si defiçit demokracie apo si një demokraci jo-funksionale. Megjithatë, ky nuk është rasti, pasi institucionet e Republikës së Kosovës nuk provohet të kenë patur ndonjë ndikim në ndalimin apo cënimin e lirisë për të ushtruar apo për të penguar ushtrimin e të drejtës së votës, nga popullsia me etni serbe në komunat e veriut. Këto komuna, pavarësisht se përbëhen nga individë të një kombësie të ndryshme nga shumica e qytetarëve të Kosovës, nuk përbën shkak që motivet politike dhe nacionaliste të dominojnë mbi kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Në fakt, e gjitha jeta politike në këto komuna është nën juridiksionin e qeverisë së Republikës së Kosovës. Këtu ndahet kuptimi i sovraniteti de juro dhe de facto, të cilët janë të lidhura në mënyrë kumulative me njëra tjetrën.

Si përfundim, që të konsiderohet defiçencë demokratike ose demokraci jo-funksionale duhet të ketë një shkak të ardhur nga sjellja e instititucioneve. Pra, ato me veprimet apo mos veprimet e tyre të kenë penguar, cënuar apo ndaluar ushtrimin apo mos-ushtrimin e të drejtës së votës. Në rastin në fjalë, nuk provohet asnjëra nga kushtet të cilat bëjnë që të konsiderohet cënim i parimit të demokracisë funksionale. Në fakt, ajo çfarë mund të thuhet është se mungesa në votime e popullsisë me etni serbe në komunat në veri të Republikës së Kosovës, kanë motive thellësisht politike të frymëzuara nga ndjenja ultra-nacionaliste. Një përfundim i tillë, është pasojë e një analizë të thjeshtë të veprimeve të po këtyrë individëve në pengimin e ushtrimit të funksioneve kushtetuese të kryetarëve të zgjedhur të komunave. Pra, në të njëjtën kohë të kërkohen dy gjëra thelbësisht të kundërta siç janë 1) mos pjesmarrja në zgjedhe dhe 2) mos-lejimi i ushtrimit të funksioneve kushtetuese të kryetarëve të zgjedhur. Në këtë situatë, qytetarët që nuk ushtruan të drejtën e votës nuk mund të kenë legjitimitet për të penguar funksionimin e institucioneve kushtetuese.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re