Një tjetër emër futet në garën e primareve të PD për Bashkinë e Fierit.

 

Teksa prezantoi kandidaturën e tij, pedagogu  Albano Zhapaj tha se ky procës është  një risi për çdo demokrat e demokrate, për çdo simpatizant e simpatizantë të Partisë Demokratike.

 

Ndjeva se duhet të isha pjesë e kësaj gare për qytetin e Fierit, pasi gjetja e primareve përkon me filozofinë time të punës dhe jetës, ku betejat për demokraci bëhen nga kandidatë të dalë nga vullneti i sovranit, dhe jo nga kandidatë të emëruar, siç jemi mësuar të shikojmë në këto 10 vitet e fundit.Karrierën time si pedagog e kam filluar në Universitetet e Padovas dhe Vicenzas, për ta vijuar më tej në vendin tim, si në: Universitetin e Tiranës, ku veç pedagog kam mbajtur edhe detyrën e Drejtorit të Kurrikulave të këtij institucioni, në Universitetin e Durrësit, të Elbasanit, si dhe institucione të tjera të arsimit të lartë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Për tetë vjet kam punuar pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në detyra të rëndësishme.  Unë besoj fort se liria dhe dinjiteti i njeriut, janë vlera të patjetërsueshme dhe se askush prej nesh nuk jeton dot pa to. E drejta për të qenë i lirë, e drejta për të jetuar me dinjitet në vendin, e drejta për të ndërtuar jetën dhe lumturinë në tokën ku ke lindur, janë të drejta të dhuruara nga Zoti, nga askush tjetër. Asnjë qeveri apo qeveritar nuk ka të drejtë t’i prekë, t’i cënojë, t’i heqë apo tjetërsojë ato, as sot e as kurrë.Nisur nga këto premisa, vendosa të kandidoj në primaret për Fierin, pasi nuk e pranoj dot që unë dhe bashkëqytetarët e mi të jetojmë në një qytet ku të rinjtë largohen se s’kanë punë, s’ka shpresë, nuk pranoj dot që çdo vit mbyllen shkolla e kopshte, boshatisen lagje e fshatra, nuk pranoj dot që toka të zbrazet e të mos punohet, që të braktisen shtëpitë, që të braktisen varret e të parëve, vetëm e vetëm se një grusht pushtetarësh kanë vendosur të na nxjerrin në treg.  

 

 

Albano Zhapaj, pedagog në universitet,  emigrant në Itali nga 1992-2007, është shkolluar në Univerisitetin e Padova, në profilin Psikologji-Pedagogji.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re