Presidenti i vendit Bajram Begaj i është drejtuar sot qytetarëve me një mesazh, kur na ndajnë vetëm pak orë nga nisja e heshtjes zgjedhore.

 

Kreu i shtetit ka deklaruar se deri tani kanë qenë kandidatët që kanë folur duke shpalosur propozimet dhe platformat e tyre, ndërkohë që kjo është koha kur qytetarët duhet të flasin me votën e tyre.

 

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë me përgjegjësi.

 

Mesazhi i plotë:

 

 

Të nderuar votues!

 

Është mbyllur tashmë sipari i propozimeve që ju keni dëgjuar për disa javë gjatë fushatës elektorale.

Të gjithë të angazhuarit në zgjedhje kanë folur si kanë dashur, kur kanë dashur dhe me intensitetin e paevitueshëm të propozimeve partiake.

 

Tani të gjithë duhet të heshtin, sepse ju do të flisni! Dhe kjo është thelbësorja, vota juaj!

 

Zgjedhjet vendore ju japin mundësinë për të përmirësuar hapësirën e drejtpërdrejtë të jetesës.

 

Pikërisht përfaqësuesit që do të zgjidhni nesër, do të jenë përgjegjës për cilësinë e saj.

 

Ata do kenë detyrimin e mirëmenaxhimit të burimeve vendore dhe për të krijuar nëpërmjet tyre mundësi të reja zhvillimi për projektet e së ardhmes për qeverisjen vendore.

 

Ndaj ju lutem hidheni votën tuaj me përgjegjësi, pa e anashkaluar këtë moment shumë të rëndësishëm për qytetet e komunitetet tona.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re