Presidenti republikan Donald Trump dhe paraardhësi i tij, demokrati Barack Obama, në fjalimet në mitingjet elektorale të dielën shprehën pikëpamje të kundërta mbi problemet e vendit, por edhe janë pajtuar që zgjedhjet e të martës me 6 nëntor, do të jenë kyç për SHBA.

Ndërsa sondazhet tregojnë një garë të ngushte për anëtarët e Kongresit ish-presidenti Obama tha se rezultatet do të vendosin se në ç’lloj vendi do jetojnë amerikanët në dy vitet e ardhshme.

“Këto zgjedhje do të vendosin nëse do të vazhdojmë prosperitetin e jashtëzakonshëm që kemi sjellë”, tha nga ana tjetër Trump në një tubim në Xhorxhia dhe paralajmëroi se demokratët do ta “shkatërronin ekonominë”. Në atë shtet federal, ka një garë të pasigurt për guvernatorët dhe kandidatët janë Sekretari i Shtetit Brian Kemp dhe kandidati i Partisë Demokratike, Stacey Abrams.

Obama e denoncoi Trumpin për një politikë “ndarjesh dhe gënjeshtrash të përhershme”.

“Ti dhe zëri yt janë e vetmja mënyrë për të kontrolluar sjelljen e republikanëve. Qendrat e votimit do të vendosin mbi karakterin e vendit tonë”, tha Obama në një tubim në Indiana, ku demokrat Joe Donnelly është në rrezik të humbjes së vendit në Senat.

Presidenti aktual dhe ai “ish” janë ende janë figurat më të njohura në partitë e tyre dhe pjesëmarrja e tyre në fushatën zgjedhore ka qenë një domosdoshmëri për të rritur entuziazmin në mesin e mbështetësve kryesorë përpara zgjedhjeve, të cilët shumë e konsiderojnë një referendum për dy vitet e para të Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas sondazheve, demokratët janë favoritë për të fituar të 23 vendet e nevojshme për një shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilat do të lejonin ata që të kufizonin zbatimin e agjendës Trump, por edhe për të kryer hetimet ndaj administratës së tij.

Pritet që republikanët të mbajnë një shumicë të ngushtë në Senat dhe mundësinë për të konfirmuar kandidatët e mundshëm për Gjykatën Supreme dhe emërimet e tjera gjyqësore.

Në fazat e fundit të fushatës, Trump ka mprehur retorikën mbi emigracionin, ndërsa, Obama denoncoi “taktikat e frikësimit” të Trump dhe “përbuzjen” e tij të së vërtetës.

Në garën për të kontrolluar Senatin, demokratët po përpiqen të fitojnë përsëri në 10 shtete federale, në të cilat shumica e votuesve e mbështetën Trump në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re