Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (ZIK) bëri me dije se deri më tani janë numëruar 95,22% të votave dhe se niveli i pjesëmarrjes në këto zgjedhje të parakohshme, të cilat do të përcaktojnë anëtarët e rinj të Parlamentit me 240 vende, rezultoi gati 36%.

Bazuar në sondazhet e sipërmarrjes kërkimore “Gallup International”, publikuar nga Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), pragun elektoral prej 4% e kapërcyen 6 parti politike dhe koalicione.

Partia GERB e Borisovit kryeson me 23,91% të votave, ndërsa “Ekziston një Popull i tillë” (ITN), forcë politike e udhëhequr nga artisti Slavi Trifonov, renditet e dyta me 23,66% të votave.

Në vend të tretë me 13,63% të votave shohim Partinë Socialiste Bullgare (BSP), e cila zhvillon politika proruse në linjën e pararendëses së saj, ish-Partia Komuniste Bullgare, që e drejtoi Bullgarinë për gati gjysmë shekulli mes viteve 1944-1989.

Kurse Bullgaria Demokratike (DB), aleancë elektorale e krahut të djathtë që udhëhoqi protestat masive duke kërkuar dorëheqjen e Borisovit për lidhje të pretenduara me mafien, renditet e katërta me 12,54% të votave.

Partia Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (DPS), e cila ka anëtarë kryesisht turq dhe në zgjedhjet e përgjithshme të mëparshme të mbajtura më 4 prill në Bullgari mori 10,5% të votave, zë vendin e pestë me 10,17%.

Gjithashtu koalicioni i quajtur “Çohu! Mafie shporru!” (ISMV), i cili bashkon partitë e majta dhe përfaqëson votën e protestës kundër Borisovit, fitoi të drejtën për të hyrë në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë duke siguruar 4,31% të votave.

Ndërsa partitë raciste dhe ultranacionaliste, të cilat ndjekin politika armiqësore ndaj turqve dhe myslimanëve, popullsia e të cilëve në Bullgari është gati 1 milion, nuk arritën të kalonin pragun zgjedhor prej 4% për të hyrë në parlament. Mes tyre spikasin veçanërisht Patriotët Bullgarë (BP), partneri i vetëm i mundshëm i partisë GERB.

Vëzhguesit politikë nënvizojnë se asnjë forcë politike ose koalicion nuk mund të qeverisë vetëm. Sipas tyre, një koalicion paszgjedhor i formuar nga ITN-ja, DB-ja dhe ISMV-ja, i cili mund të ketë 110-112 deputetë në parlamentin me 240 anëtarë, patjetër që do të ketë nevojë për mbështetje nga BSP-së ose DPS-së për të marrë votëbesimin. Qeveria e re që do të formohet, duhet të sigurojë të paktën 121 vota për të fituar votëbesimin.

ZIK-ja njoftoi se më 15 korrik do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe më 18 korrik listën e deputetëve të rinj të parlamentit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re