Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën ditën e djeshme në Greqi garuan edhe 7 kandidatë shqiptarë, pjesëtarë të emigracionit  në vendin fqinj.

 

Ata janë të rreshtuar në partitë e majta greke. Sipas informacioneve askush prej tyre nuk ka dalë fitues në garën e djeshme. Një prej tyre është Pati Vardhami, lindur e rritur në Tiranë, por që ka kryer studime për shkenca politike e sociale në Greqi dhe Angli.

 

Në një intervistë për Vizion Plus, ajo është shprehur e kënaqur për rezultatin që mori në zonën ku edhe kandidoi.

 

“Përfundimi ka qenë i mirë, jam e kënagur. MeRA 25 e kapi cakun aty ku unë isha. Doja të falenderoja të gjithë ata që na kanë mbështetur”, tha ajo.

 

Vardhami theksoi më tej se çështja e arrestimit të Fredi Belerit ka pasur një jehonë të madhe në mediat greke, e cila sipas saj u shfrytëzua për fushatë dhe po vijon akoma të përdoret në vendin fqinj.

 

“Partia që përmendët mori shumicën e votave është ajo konservatore. Ajo sponsorizoi mediat me shuma të mëdha në pandemi dhe incidentin e Belerit e ka përdorur për të bërë fushatë elektorale.

 

Ka pasur një kohë të konsiderueshme në media dhe është përdorur në fushatë dhe akoma përdoret. Vazhdon axhenda nacionaliste të përdoret në këtë mënyrë. Nuk është vetëm rasti i Belerit por edhe raste të tjera. Ndërtimi i turpshëm i murit me Turqinë, apo largimi i emigrantëve të paligjshëm”.

 

Këto zgjedhje sipas Pati Vardhamit ishin shqetësuese për  komunitetin shqiptar dhe të gjitha grupet sociale, e për këtë ajo thotë se një pjesë e popullsisë greke ruajnë disa privilegje që nuk duan t’i ndajnë me pjesën tjetër të popullsisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re