Kandidatja për kryetare të Partisë Demokratike, Edith Harxhi, ka reaguar sot zyrtarisht pas zgjedhjeve të djeshme brenda partisë që konfirmuan fitoren  e bindshme të Lulzim Bashës.

Pas falënderimeve për mbështetësit, Harxhi nënvizon si “koha ishte mjaft e kufizuar dhe e pamjaftueshme. Por ky është vetëm fillimi. Sepse, siç ju kam premtuar, unë do të vazhdoj të bashkëbisedoj me ju në çdo cep të vendit për të ringritur të djathtën dhe shpresën.

Ne do gjejmë zgjidhjet më të mira për t’i rikthyer Partisë Demokratike vlerat, dinjitetin, forcën dhe rëndësinë e humbur, për ta ribërë atë përsëri një parti qeverisëse dhe të djathtën Shqiptare konkurruese dhe të fortë”.

Duke shtyrë qëndrimin e saj mbi zgjedhjet e djeshme, edhe pse deklaroi se “së shpejti do të them mendimet e mija, mbështetur mbi fakte”,

Harxhi vijoi duke thënë se “gjithçka ndodhi dje nuk do pengojë dhe, aq më pak, ta ndalojë misionin tonë të përbashkët për të reformuar dhe ringritur PD-në. Ne duhet të vazhdojmë të kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme si dhe të ndalim korrupsionin në çdo nivel të jetës”.

Edith Harxhi mori votën e 983 anëtarëve të PD në zgjedhjet e djeshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re