Kryetari Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë në dorë listën me emrat e 326 kandidatëve për deputetë që u përzgjodhën nga Komisioni i Vlerësimit.

Në njoftim, zyra e shtypit të PD thotë se Komisioni i vlerësimit të Kandidatëve përmbylli dje procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vendore.

“Ky proces, i zhvilluar për herë të parë në Shqipëri, është vlerësuar pozitivisht nga anëtarësia e PD-së, opinioni publik dhe mediat. Komisioni e vlerëson procesin në tërësi si një akt emancipues në politikën shqiptare.

Komisioni e ndau punën në tre faza: nga 03 gusht 2020 deri ne 22 tetor 2020. Pas një pune intensive dhe voluminoze komisioni përfundoi vlerësimin për 3593 kandidatë të propozuar, në një listë përfundimtare prej 326 kandidatësh të propozuar për përfaqësim politik në zgjedhjet e ardhshme politike apo lokale.

Komisioni, i dorëzoi sot Kryetarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PDSH, listën përfundimtare të kandidatëve për ndjekjen e procedurave të mëtejshme sipas Statutit”, thuhet në njoftim.

PD thotë se falenderon anëtarësinë për pjesëmarrjen masive në votime, strukturën e PD-së, përfaqësuar në këtë proces përzgjedhjeje nga Sekretariati teknik, si dhe kandidatët e propozuar që ndihmuan realizmin e këtij procesi transparent, qytetar dhe të përgjegjshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re