Kandidati demokrat Joe Biden në zgjedhjet presidenciale në SHBA, ka kaluar në epërsi në shtetin Pennsylvania, një nga shtetet kyçe që pritet të përcaktojnë rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

Sipas një lajmi në Washington Post, në Pennsylvania, ku janë numëruar 95 për qind e votave, Biden ka siguruar 3.295.304 vota, ndërsa presidenti Donald Trump, kandidati i Partisë Republikane, ka fituar 3.289.717 vota.

Pas azhurnimit të ri në rezultatet e zgjedhjeve, gara në këtë shtet, në të cilin Trump kryesonte me deri në 500 mijë vota më herët, tani duket se është kthyer në favor të Biden-it me një diferencë prej 5.587 votash.

Numërimi i votave ende vazhdon në këtë shtet me 20 delegatë zgjedhës.

Demokratët më herët kaluan në epërsi edhe në shtetin tjetër kyç Georgia, në të cilin më herët kryesonin Republikanët.

Megjithëse kanë kaluar dy ditë nga zgjedhjet presidenciale në SHBA, ende mbetet e pasigurt se cili kandidat ka fituar.

Sipas rezultateve të përkohshme në shtetet ku numërimi i votave ka përfunduar, ish-nënpresidenti Joe Biden, kandidat i Partisë Demokratike, ka fituar 253 delegatë, kurse presidenti Donald Trump ka 214 delegatë të Kolegjit Elektoral.

Kandidati që fiton shumicën e votave në një shtet fiton të gjithë delegatët, numri i të cilëve është në varësi të popullsisë së atij shteti.

Që një kandidat të fitojë garën presidenciale, ai duhet të sigurojë të paktën 270 delegatë.

Rezultatet e zgjedhjeve janë ende të paqarta në shtetet Pennsylvania, Karolina e Veriut, Georgia, Arizona, Nevada dhe Alaska, të cilat përbëjnë gjithsej 71 delegatë. Trump aktualisht kryeson në Karolinën e Veriut dhe Alaska, ndërsa Biden është më afër fitores në Pennsylvania, Georgia, Nevada dhe Arizona.

Situata aktuale në favor të Biden-it

Nëse kandidatët në gjashtë shtetet ku rezultatet nuk janë ende të qarta fitojnë në ato shtete ku aktualisht kanë epërsinë, atëherë Biden do të fitojë gjithsej 53 delegatë në Pennsylvania, Arizona, Nevada dhe Georgia, duke e rritur numrin e delegatëve në 306 dhe duke tejkaluar numrin minimal prej 270 delegatëve të nevojshëm për të fituar zgjedhjet.

Nëse Trump fiton në Karolinën e Veriut dhe Alaska, ku po kryeson garën, ai do të sigurojë 18 delegatë dhe do të arrijë shifrën 232, për të përfunduar i dyti.

Ndryshimi i rezultateve në shtetet e ku gara është e ngushtë mund të ndryshojë aritmetikën e delegatëve në favor të të dy kandidatëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re