Zgjedhjet në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës u bojkotuan masivisht. Nga mbi 45.000 qytetarë, morën pjesë vetëm 1567 prej tyre.

 

Sipas të dhënave të KQZ-së, në Mitrovicën e Veriut fitoi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq, me 519 vota. Atiq deklaroi se do të jetë kryetar i të gjithë banorëve të Mitrovicës së Veriut.

 

 I falënderoj të gjithë ata edhe që s’më kanë votu, do të jem kryetar komune i të gjithë qytetarëve pa dallim. Po na presin punë të mëdha përpara. I bej të gjithë qytetarëve që të kenë besim në institucionin e komunës edhe tekune si kryetar komune”

 

Lëvizja Vetëvendosje fitoi po ashtu në Komunën e Leposaviqit, me kandidatin Lulzim Hetemi. Ndërkohë Partia Demokratike do të drejtojë Zubin Potokun me Izmir Zeqirin si dhe Zveçanin me Ilir Pecin.

 

Ndërkohë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e justifikoi pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri, me atmosferën “e frikësimit dhe shantazhit”.

 

“Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajën dhe qetësinë”, shkroi Kurti në rrjetin social Facebook.

 

Pjesëmarrja më e madhe në votime ishte në radhët e komunitetit shqiptar në komunat veriore të Kosovës. Megjithatë, krahasuar me herët e kaluara, as komuniteti shqiptar, që është shumicë në disa qendra të votimit, nuk e shfrytëzoi sa duhet të drejtën e votës. Në qendrën e votimit në fshatin Lipë, nga 205 qytetarë me të drejtë vote, votuan vetëm 31% e tyre. Ambasada Amerikane shprehu keqardhje, që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën demokratike për të marr pjesë në garë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re