Maqedonia Veriore është në heshtje zgjedhore, një ditë para votimit për presidentin e ri të vendit, të parat zgjedhje me emrin e ri, e të cilat janë gjithashtu një test i fuqishëm politik si për qevrinë e si për opozitën, në rapor me zhvillimet e fundit ku në fokus ka qenë pikërisht marrëveshja me Greqinë për emrin e ri, kundërshtuar fort nga VMRO-ja nën ethe nacionaliste.

Përballë në këto zgjedhjet do jenë tre kandidatë: Stevo Pendarovski nga LSDM, Gordana Siljanovska nga VMRO-DPMNE dhe Blerim Reka që mbështeet nga partitë opozitare shqiptare.

Kryeministri Zoran Zaev dhe partia e tij – LSDM shpresojnë që zgjedhjet presidenciale të së dielës  t’i shkaktojnë një goditje tjetër të sundimit të gjatë të partisë nacionaliste VMRO-DPMNE, pasi duket se votuesit do të zgjedhin në mes të pakënaqësisë për shkak të emrit të ri dhe me integrimin Euro-Atlantik me emrin e ri.

Pendarovski bëri fushatë me mesazhin se një votë për të, është votë për NATO-n dhe BE-në, e cila do efektojë në investime të reja dhe rritje ekonomike.

Ndërsa VMRO, parti e cila qeverisi nga viti 2006 deri në 2017, e ka deklaruar marrëveshjen për ndryshimit të emrit si të paligjshme dhe në kundsërshtim me Kushtetutën dhe interesat kombëtare.

Por pas rënies në opozitë, VMRO është e zhytur në kaos, pasi ish-lideri dhe njëherësh ish-kryeministri Nikola Gruevski u largua nga vendi dhe kërkuar azil në Hungari në mënyrë që të shmangte burgun për korrupsion.

Disa zyrtarë të tjerë të lartë të VMRO-së gjithashtu janë dënuar, ndërsa të tjerë po presin për përfundimin e gjyqeve me akuza për ryshfet dhe shpërdorm pushteti.

Sipas një sondazhi të fundit, çuditërisht, kandidatja Gordana Siljanovska e VMRO-së gëzon pak më shumë mbështetje se kandidati i socialdemokratëve Pendarovksi.

Presidenti ende në detyrë, Gjeorgje Ivanov, është kështjella e fundit e ish-pushtetit të VMRO-së që pritet të bjerë dhe, nëse ai zëvëndësohet me kandidaten e kësaj partie, kjo do qe një goditje për pushtetin e Zaevit.

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, ky i fundit, edhe pse një mbështetje të fuqishme nga Perëndimi, e humbi një referendum mbi emrin, që gjithsesi ligjërisht nuk e zhvlerësonte marrëveshjen me Athinën.

Ndaj, dhe këto zgjedhje presidenciale janë mjaft delikate, pasi kanë vlerë referendare mbi zhvillimet e fundit me marrëveshjen epokale me Greqinë, gjë e cila çoi në ndryshimin e emrit.

Supozohet se asnjë kandidat nuk do të kalojë 50 përqind të mbështetjes, kështu që presidenti do të vendoset në raundin e dytë më 5 maj.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re