Kreu i Komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i qëndron mendimi të tij se kjo forcë politike duhej të kandidonte në 14 maj me 61 kandidatë. Në një konferencë për mediat, Alibeaj deklaroi se ndonëse strukturat e PD morën një tjetër vendim, ai i qëndron besnik qëndrimit të tij që sipas tij ishte zgjidhja e duhur. Alibeaj theksoi para gazetarëve se PD nuk duhej të ishte përçarë. Ai shton se për këtë arsye ka kërkuar vazhdimisht bashkim mes demokratëve për të evituar krijimin e strukturave paralele.

 

“Unë vazhdoj t’i mbetem mendimit dhe qëndrimit se duhej të kishim 61 përfaqësues për bashki në zgjedhje lokale”, tha ai. “Në prill të vitit të kaluar duke parashikuar dhe zgjedhjet që do të vinin, kërkesën, lutjet po të doni ju, që të mos krijoheshin struktura paralele, të mos çohej ndarja deri në bazë sepse do të vinte një moment si ky i tanishëm që njerëzit, demokratët përballë së keqes së madhe, Edi Rama, do duhej të ishin bashkë, minimumi bashkim forcash”, shtoi ai.

 

Kreu i komanduar i PD shtoi se faktorë në përçarjen e demokratëve veçmas refuzimit për bashkim nga Berisha është dhe “zvarritja” e vendimit të gjykatës për logon e këtij subjekti.

 

“Stërzgjatja e procesit gjyqësor thuajse një vit të tërë dyerve të gjykatës pavarësisht kërkesave të herë pas hershme për përshpejtimin e procesit gjyqësor për të krijuar qartësi juridike, që është minimumi që duhet për të pasur dhe qartësinë politike, e krijoi efektin e pasivitetit, duke filluar nga unë i pari”, shtoi Alibeaj.

 

Ndryshe nga herët e tjera, Alibeaj nuk u “kursye” në akuzat ndaj ish liderit historik të PD, Sali Berisha, të cilin e akuzoi se ka uzurpuar të gjitha degët e PD, duke nisur që nga selia qendrore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re