Ndonëse na ndajnë katër muaj nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit, kandidati zyrtar i PS-së për Bashkinë Berat, Ervin Demo, vijon takimet me grupe të ndryshme shoqërore, për të dëgjuar hallet dhe problematikat që kanë në lagjet e tyre.

Ai është ndalur në lagjen “Kushtrim” dhe “Donika Kastrioti” të Rajonit Nr. 3, ku ka bashkëbiseduar me banorët e këtyre lagjeve dhe është njohur më nga afër me shqetësimet e tyre.

“Shërbime të munguara dhe një lagje e lënë totalisht në harreë. Detyra jonë, rikthimi i vëmendjes tek ju.” – shkruan Demo në fotot bashkëlidhur këtyre takimeve në profilin e tij zyrtar.

Këto takime vijnë pas disa dëgjesave publike me banorë të lagjes “Çlirim” dhe “Dëshmorët e Kombit”, ku, mes të tjerash, Demo është shprehur: “Privilegj të jem krahë për krahë me ju dhe mëse i bindur që çdo sfidë së bashku është e mundur”.

Mësohet se Demo është duke zhvilluar dëgjesa dhe takime me të gjithë banorët e lagjeve të ndryshme të Beratit dhe të Njësive Administrative, shqetësimet dhe propozimet e të cilëve pritet t’i pasqyrojë edhe në programin e tij elektoral për zgjedhjet vendore, ndërkohë që një grup pune me specialistë të fushave të ndryshme është ngritur për ta bërë sa më parë realitet dhe të prekshëm këtë program.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re