Skip to content

Zgjedhjet vendore/ Policia e Shtetit: Po zbatojmë masat e ndërmarra, partitë të respektojnë ligjin

Policia e Shtetit ka nisur zbatimin e masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e procesit parazgjedhor në mënyrë që qytetarët të mund të shprehin vullnetin e tyre në zgjedhjet vendore të së dielës.

 

Përmes një reagimi zyrtar bëhet me dije se deri në këto momente policia ka marrë në ruajtje 4080 objekete, në të cilat ndodhen materiale zgjedhore, teksa procesi vijon ende.

 

“Punonjësit e Policisë, të planëzuar në të gjithë vendin, për ruajtjen e objekteve zgjedhore, janë paraqitur pranë KZAZ-ve dhe vijon procesi i shoqërimit të komisionerëve me materialet zgjedhore dhe marrja në ruajtje e objekteve zgjedhore ku do të administrohen materialet zgjedhore.

 

Në të gjithë vendin, deri në këto momente, janë marrë në dorëzim nga punonjësit e Policisë, për ruajtje, 4080 objekte dhe vijon marrja në dorëzim edhe e objekteve të tjera”, thuhet në njoftim.

 

Policia e Shtetit shpreh gatishmërinë për ruajtjen e rendit dhe qetësisë si dhe administrimin e çdo problematike të mundshme.

 

“Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit funksionon grupi i drejtimit, për menaxhimin e masave të sigurisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, me qëllim vlerësimin e çdo informacioni nga të gjitha burimet, si dhe për verifikimin, analizimin dhe ndjekjen e tij.

 

Punonjësit e Policisë raportojnë në kohë reale te grupi i Drejtimit në DPPSh, nëpërmjet sistemit të menaxhimit të procesit të marrjes në dorëzim të objekteve zgjedhore, dorëzimin e objekteve dhe deri në përfundim të procesit”, vijon njoftimi.

 

Janë edhe 1132 objekte të tjera të cilat do të merren në mbrojtje nga Policia e Shtetit.