Partia Demokratike do nxjerrë kandidatin e saj për zgjedhjet e ardhshme vendore nga procesi i primareve.

 

Anëtari i Kryesisë së PD Arben Ristani në një intervistë në edicionin e lajmeve në Vizion Plus u shpreh se regjistrimi i kandidaturave është i hapur deri në 6 nëntor.

 

Primaret, sipas Ristanit, janë një risi dhe leksion për demokracinë shqiptar.

 

“Çdo parti politike ka statusin e saj dhe vepron vetëm mbi atë. Asnjë marrëveshje me çdo parti tjetër politike nuk cënon statutin. Ne kemi mbyllur marrëveshjet me aleatët, siç është PL apo edhe parti të tjera. Tani presim të regjistrohen kabndidaturat deri në 6 nëntor dhe do nisim me primaret. Është gjëja më e mirë që mund të bënim. Është një risi që ndodh për herë  të parë dhe është leksion për demokracinë shqiptare”, tha ai.

 

Ristani shtoi se baza demokrate do të angazhohet në primare për të zgjedhur kandidatin  për të mirë për zgjedhjet e 14 majit 2023.

 

“E rëndësishme për ne është baza e PD që do angazhohet në primare për të zgjedhur kandidatin më të mirë. Baza ka reaguar shumë mirë. Demokratët janë të mobilizuar. Ka filluar edhe regjistrimi i simpatizantëve që ti qasemi shoqërisë shqiptare”, deklaroi anëtari i Kryesisë së PD.

 

Për Ristanin, kandidati më i mirë për Bashkinë e Tiranës në vendoret e ardhshme do të ishte një figurë politike, për të cilin demokratët kanë punuar.

 

“Unë personalisht jam për një kandidat politik, sepse besoj që PD do mobilizojë drejt një kandidati që demokratët kanë punuar për të. Unë kam bindjen që duhet një kandidat politik për të çuar përpara të ardhmen për Tiranën”.

 

Sa i takon vulës së partisë, vendim që pritet ta japë Apeli, Ristani tha: “Ne nuk kemi zgjedhur të bëjmë presion ndaj organeve të drejtësisë, sepse besojmë që vula e vërtetë është ajo e demokratëve për të organizuar PD ashtu siç bën. Raporti me PL ka të bëjë me një situatë normale para zgjedhjeve”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re