E caktuar për të qenë syri vëzhgues i zgjedhjeve të majit, Audrey Glover, shefja e misionit të vëzhguesve të ODIHR, takimin e parë e zhvilloi me drejtuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

 

Për më shumë se dy orë, Audrey Glover qëndroi në zyrën e Ilirjan Celibashit.

 

Nga ky i fundit, ajo është informuar për përgatitjet e deritanishme për vendoret e pranverës, nga regjistrimi i partive, kandidatëve, zbatimi i teknologjisë, vëzhgimi dhe ndalimi i burimeve shtetërore për qëllime elektorale e deri te angazhimi i fundit i KQZ-së për deklarimin elektronik të financimeve për partitë politike.

 

Pas Ilirjan Celibashit, Audrey Glover do të zhvillojë takime edhe me përfaqësuesit e partive politike, ku mbetet për të parë nëse do të ketë një të tillë edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha, si drejtues politik i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

 

Në raportin paraprak të shkurtit, ODIHR e vuri theksin te konflikti brenda Partisë Demokratike, duke mos sjellë asnjë vendimmarrje në reformën zgjedhore dhe territoriale

 

Për shefen e misionit të vëzhguesve të ODIHR kjo është hera e pestë që monitoron zgjedhjet në Shqipëri. Të fundit ishin vendoret e 2019-ës, që u bojkotuan nga opozita.

 

Për të monitoruar garën e 14 majit, ODIHR do të ketë 324 vëzhgues. Të premten Audrey Glover do të mbajë një konferencë për mediat, që i prin edhe nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore në 14 prill.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re