VALENTINA MADANI/ Grupi politik i dialogut për Reformën Zgjedhore miratoi dje planin e punës lidhur me diskutimet që do të diskutohen për “Zgjedhoren”.

Ky grup i ngritur mes “Rithemelimit” dhe mazhorancës, pas 4 mbledhjesh mundi të kalonte planin e punës për Reformën Zgjedhore. Pasi komisioni ku bashkëkryetar ishte Enklejed Alibeaj i PD, u mbyll pa produkt, tashmë puna është zhvendosur në grupin e dialogut.

Sipas planit të punës të miratuar dje, drafti për ndryshimet ligjore duhet të shkojë në Kuvend për votim jo më vonë se data 1 korrik, ndërsa vitin e ardhshëm mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Në bazë të kalendarit të dakordësuar, puna do të nisë me çështje si zonat zgjedhore, diskutim që do mbahet më 24 prill. Mbetet për t’u parë nëse palët do të dakordësojnë për 1 zonë zgjedhore, siç ka propozuar PD, apo propozimin për 4 zona zgjedhore nga aleatët, ose nëse do mbetemi me sistemin aktual me 12 zona zgjedhore.

Propozimet për votën e emigrantëve do të finalizohen brenda prillit, kur edhe do të adresohen çështje si herësi. Për sistemin zgjedhor dhe koalicionet parazgjedhore, që janë edhe dy çështjet më të ndjeshme të ndryshimeve elektorale, PS e opozita i kanë lënë më shumë kohë vetes, duke dakordësuar që propozimet të bëhen gjatë gjithë kohëzgjatjes së punimeve për reformën zgjedhore, pra nga mesi i prillit deri në fund të qershorit. Grupi i dialogut u krijua si një mekanizëm i Komisionit të Ligjeve me anëtarë të barabartë pozitë-opozitë, pikërisht për të çuar me konsensus drejt seancave plenare ligjet që kërkojnë 84 vota, reformat e rëndësishme, por edhe ligjet që lidhen me integrimin në BE-së.

NDRYSHIMET

Grupi politik vendosi pikat dhe afatet kur duhen mbyllur diskutimet, në mënyrë që brenda këtij sesioni parlamentar të shkojnë për votim, nëse do të ketë ndryshime apo dakordësi. Dispozita të përgjithshme:

objekti, përkufizime dhe parime për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore. Zgjedhësit dhe përgatitja e listës së zgjedhësve: – përmbajtja, hartimi dhe miratimi i listës së zgjedhësve – procesi i përgatitjes së listës së zgjedhësve. (Afati 18 prill 2024). Regjistrimi i subjekteve zgjedhore, regjistrimi i kandidatëve, zona zgjedhore dhe numri i mandateve për çdo zonë. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nr. 31, datë 04.10.2021 dhe nr. 28, datë 30.06.2021. (Afati 24 prill 2024). Votimi i shtetasve, administrimi dhe numërimi i votave të shtetasve shqiptarë me banim jashtë Republikës së Shqipërisë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 38, datë 9.12.2022. (Afati 30 prill 2024). Kufizimet dhe/ose ndalimet e parashikuara për përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje. (Afati 6 maj 2024).

ADMINISTRIMI

Institucionet për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komisionet e nivelit të parë të Administrimit të Zgjedhjeve, Komisionet e nivelit të dytë të Administrimit të Votimit. Infrastruktura e zgjedhjeve: Organizimi i infrastrukturës së zgjedhjeve, përgatitja e dokumentacionit zgjedhor dhe dërgimi i materialeve zgjedhore, votimi, kushtet për administrimin e votimit dhe rezultati zgjedhor. Teknologjia në zgjedhje, pilotimi, garancitë e votimit dhe të procesit të numërimit. Transparenca e veprimtarisë së KQZ-së dhe organeve të tjera. (Afati 15 maj 2024).

Fushata zgjedhore, monitorimi i fushatës zgjedhore dhe fushata zgjedhore në media audiovizive dhe në mediat sociale, si dhe ndalimet përkatëse. Financimi i zgjedhjeve dhe i fushatës zgjedhore: financimi i zgjedhjeve, financimi i subjekteve zgjedhore, financimi i kundërligjshëm i zgjedhjeve dhe financimi i fushatave zgjedhore nga burime të huaja. (Afati 22 maj 2024). Ankimi administrativ, hetimi administrativ, sanksionet dhe ankimi gjyqësor. (Afati 27 maj 2024).

Çështje të tjera për zgjedhjet përfshirë sistemin zgjedhor, koalicionet parazgjedhore, përkthimi i drejtë i votës në mandate përfaqësimi, përfshirja apo jo e referendumeve si pjesë e Kodit Zgjedhor, si dhe forcimi dhe garantimi i lirisë së votimit dhe ruajtjes së parimit të votës së fshehtë. Grupi i Dialogut mund të vendosë me konsensus për diskutim edhe çështje të tjera që lidhen me zgjedhjet. (1 prill deri në 31 qershor 2024). Hartimi i dispozitave sipas këtij kalendari mund të kërkojë ndërhyrje legjislative në ligje të tjera si Kodi Penal, ligje të tjera etj.. (Afati 11 prill deri më 31 qershor 2024). Miratimi në tërësi i projektligjit dhe eventualisht i projektligjeve të tjera të lidhura me të. (Afati 15 qershor deri më 1 korrik 2024).

DEPOZITIMI

Sipas shënimit në planin e punës:

1. Projektligji duhet të depozitohet në Kuvend jo më vonë se data 1 korrik 2024.

2. Grupi i ekspertëve teknikë harton tekstin e dispozitave të reja të projektligjit sipas kalendarit dhe ia paraqet ato për diskutim dhe miratim grupit të dialogut. Në përfundim të mbledhjes së grupit reflektohen në tekstin e dispozitave përkatëse amendamentet e dakordësuara.

3. Në vijim, teksti i dispozitave të miratuara publikohet në faqen e internetit të Kuvendit dhe njëkohësisht ftohen të gjithë të interesuarit të paraqesin mendimet dhe sugjerimet e tyre në ’email’-in e sekretarisë së grupit. Një kopje elektronike i dërgohet elektronikisht edhe OJF-ve vendëse për të paraqitur komentet dhe vërejtjet e tyre në lidhje me to.

4. Teksti i dispozitave të miratuara i dërgohet për mendim edhe ODIHR dhe organizatave të tjera ndërkombëtarë për ekspertizë. Në mënyrë të veçantë në rast se në grupin e dialogut nuk ka dakordësi politike për një çështje apo dispozita të caktuara, grupi në mënyrë konsensuale dhe kur e konsideron të arsyeshme, i drejtohet për mendim këshillimor ODIHR-it, duke i paraqitur çështjen për të cilën nuk ka dakordësi politike dhe eventualisht çdo material apo koment të anëtarëve në lidhje me të.

5. Shkresat drejtuar ish-Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, projektligjet e administruara për shqyrtim në lidhje me Kodin Zgjedhor, procesverbalet e seancave dëgjimore dhe çdo material tjetër drejtuar ish-Komisionit të Posaçëm administrohen nga grupi i dialogut dhe do të shërbejnë për hartimin e dispozitave konkrete të ligjit të ri zgjedhor.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re