Sekretari i për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, ka dhënë një deklaratë për mediat pas daljes nga tryeza e Reformës Zgjedhore.

Para medias Kaso tha se Partia Socialiste kishte kundërshtuar propozimin e Partisë Demokratike për financim 100% nga shteti. Po ashtu ai tha se dhe LSI nuk ishte dakord, pasi kërkon një sistem miks.

“Propozimet janë detajuar edhe në nivel teknik dhe së shpejti nga ekspertët e opozitës së bashkuar në funksion të punës që mblidhen në selinë e PD do të materializohen me një draft konkret.

Ekspertët ndërkombëtarë kanë ilustruar këndvështrimet e tyre me pikat e dobëta që lidheshin me financimin dhe që duhet të adresoheshin. Nuk ka pasur asnjë mbyllje të tyre për 100% të financimit publik. I takon klasës politike që të miratohet dhe zbatohet”, tha Kaso.

Sekretari i PD komentoi dhe përplasjet e brendshme në opozitë ku shtoi se propozimi i PD është drastik, ku shteti financon 100% partisë, por aleatët kanë pasur dhe formula të tjera, por nuk janë shumë larg tyre.

Më tej Ivi Kaso u shpreh se opozita tashmë ka një qëndrim të konsoliduar dhe kërkon zgjedhje të parakohshme.

“Opozita ka përfunduar procesin e riorganizmit dhe ka besimin e shqiptarëve. Opozita me anë të ekspertëve do të bëjë çfarë është e mundur që propozimet e saj të detajuara të jenë në dispozicion të publikut sa më parë që të jetë e mundur. Hapat e tjerë të miratimit formal që duhet të kalojë reforma dalin tej mundësive tona dhe nuk mund të parashikojmë”, shtoi ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re