Skip to content

Zgjedhorja/ PS ofron hapjen e kutive: Ja ku ndahemi me opozitën dhe kur do diskutohet sistemi danez

Katër orë diskutime pasditen e sotme nuk kanë sjellë asgjë të re në tryezën e Këshillit Politik. Identifikimi biometrik i zgjedhësve në të gjitha qendrat e votimit dhe depolitizimi i administratës zgjedhore, janë dy pikat që ndajnë plotësisht maxhorancën dhe opozitën.

Duke iu përgjigjur Bylykbashit dhe Vasilit, përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri tha se identifikimi elektronik në 100% të QV-vë është i pamundur dhe nuk rekomandohet nga ODIHR.

PS, si garanci për transparencën e votës ka ofruar mundësinë e hapjes së kutive në të gjithë Shqipërinë pas votimeve

“Pika më e madhe që na ndan është identifikimi elektronik 100%. Përsa I përket teknologjisë vullneti ynë ka qenë i qartë, si për identifikimin dhe votimin elektronik. Por përtej dëshirës, ODIHR na tha se sistemi elektronik duhet të aplikohë gradualisht jo më shumë se 10%, por ne jemi gati ta aplikojmë edhe më shumë. E zëmë se po biem dakord për aplikim 100% dhe t’I drejtohemi ODIHR.

Si garanci për transparencën e votës kemi ofruar mundësinë e hapjes së kutive në të gjithë Shqipërinë pas votimeve. Kjo i bën komisionerët përgjegjës nëse kanë shkelur ligjin. Kemi pranuar edhe vendosjen e kamerave në çdo qendër votimi. Kemi pranuar propozimin që të mos ketë prezencë në Qendrat e Votimit. Kemi pranuar kërkesën për reduktim të financimit privat të partive dhe shtimin e financimit nga shteti”, tha Gjiknuri

Gjiknuri tha se propozimi për ndryshimin e sistemit, bazuar në atë danez, do të bëhët në fazën e dytë të reformës. Sipas tij, për këtë ka patur dakordësi në komision.