Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të zgjerojnë shkëmbimin e
studentëve dhe studiuesve përmes Programit Fulbright, njoftoi të enjten
Departamenti amerikan i Shtetit.
Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështjet arsimore dhe
kulturore Marie Royce dhe ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë Gent
Cakaj nënshkruan në Nju Jork një memorandum mirëkuptimi, në të cilin
qeveria shqiptare angazhohet të mbështesë Programin Studentor Fulbright,
për t’u siguruar më shumë mundësi studentëve të marrin pjesë në këtë
program, njoftoi Departamenti i Shtetit.
Programi Fulbright në Shqipëri u krijua në vitin 1991. Që nga ajo
kohë, pëmes tij më shumë se 350 studiues dhe studentë amerikanë e
shqiptarë kanë kryer kërkime, ligjëruar ose studiuar në SHBA dhe në
universitetet shqiptare.
Programi Fulbright është krijuar për të rritur mirëkuptimin e ndërsjellë midis qytetarëve të Shteteve të Bashkuara dhe atyre të vendeve të tjera në fushën e studimit, hulumtimit, shkëmbimit të ideve dhe zgjidhjes së sfidave globale./voa/