Është e para intervistë që jap për këtë vit, le të urojmë që të kemi një mbarësi këtë vit, ti kalojmë më lehtë ato gjurmët që na la viti kaluar, pavarësisht se pandemia po vazhdon, shumë njerëz kanë humbur të dashurit e tyre, edhe unë, por që është e bukur që të mendojmë që si kjo ditë e bukur pse jo të jetë dhe ky vit, me diell.

Një fillim viti the ti që ti harrojmë gjurmët që na la ai i kaluari?

Në përgjithësi ne kemi atë shprehjen të shkuara të harruara. Normalisht dhimbjen s’e harrojmë asnjëherë, dhimbjen e kemi me vete, madje edhe ato familje që s’kanë humbur njerëzit e tyre prapë vuajnë, sepse në fund të fundit ne jetojmë mes njëri tjetrit dhe vuajmë atë qe vuajnë të tjerët. Të mësohemi të jetojmë me dhimbjen.

Një fillim viti i ri a është shpresë më shumë për ditët që vijnë , ndoshta për forcën për ta gjetur mes rreshtash?

Patjetër, prandaj u dhanë gjithë ato mesazhe në fund vitit, që ti gëzojmë dhe festat se në fund ato na mbushin shpirtin plot. Edhe ky ndërrimi i viteve na vë përballë analizave, edhe në punë analizojmë ato që janë bërë, ato që nuk janë bërë, jo për fajin tone.

Brenda vështirësive ato që u bënë dhe çfarë jo dhe çfarë mund të bëjmë më mirë. Mendoj qe gjithmonë fillimet e viteve, janë një bilanc. Është e mira që secili të bëjë atë analizën e vet.

E ka bërë Rita atë analizë nga ana profesionale?

Nga ana profesionale jemi duke e bërë, do pak kohë ajo qe të bëhet dhe po vendosim si do shkojmë. E kemi akoma atë optimizmin edhe pse edhe optimizmi e ka një kufi, sepse sektori botimeve dhe i artit ka problemet e veta, se ne artin e quajmë luks dhe nuk ndjehet mbështetja, dora e shtetit duhet të ndihet shumë më tepër. Edhe në sektorin e botimeve kemi pasur goxha probleme, sepse është tjetër bombardimi i rrjeteve sociale me reklame, dhe tjetër interesimi real ndaj librit. Sa kanë mundur njerëzit në këto kohëra të vështira të blejnë libra. Në këto kohëra nuk paragjykoj askënd, që nuk është në gjendje të blejë librin.

Ka qenë një vit pandemik edhe për librin, edhe panairi u bë online…

Edhe panairi që u bë online nuk mund të krahasohet me panairin kur ne takohemi me lexuesin, vinin na sugjeronin, flisnin me njëri tjetrin, ose blinin libra, sepse ai ishte lloji panairit ku blihej libri.

Pastaj botimi ka lidhje dhe me autorët edhe me përkthyesin.

Edhe duket sikur askush nuk merr atë që meriton, edhe për shkak të pandemisë edhe për shkak të situatës që ne jemi një vend i varfër që gjithçka e kemi me vështirësi.

Në kohën e pandemisë, shumëfishohet kjo vështirësi.

Megjithatë, nuk të mungon buzëqeshja Rita, përtej atyre që përballesh qoftë nga ana personale apo profesionale. Tani duhet të jesh më e përkushtuar se më parë, ke një barrë mbi supe, një përgjegjësi…

Ishte një barrë që me thënë të drejtën e ndaja me Latifin, dhe që më duhet tani ta përballoj vetë dhe me të gjithë njerëzit që kemi pranë. Por që mungon ajo biseda dyshe, sepse ne nuk është puna se uleshim në tavolinën e punës dhe i diskutonim. Ne jetonim dhe bashkë, dhe unë mendoj që njerëzit që udhëheqin një kompani edhe kur janë buzë detit flasin për punën.

Dhe unë tani i ndiej, se në mëngjes sa pinim kafen uleshim dhe bisedonim për punën ose dhe në mbrëmje, pasi Latifi kujdesej për shtypshkronjën unë për redaksinë dhe ishin punë që lidheshin me njëra tjetrën por kishin dhe ato përplasjet tona, ky libri doli mirë ky nuk doli mirë, akuzonim njëri tjetrin, por që mua më mungojnë shume, më duket sikur më mungon një motiv i madh nga kjo sepse s’kam me kë të përplasem. Sepse partnerët janë si të thuash sa duhen janë edhe në luftë me njëri tjetrin, edhe ajo krijon atë harmoninë e bukur.

Në fakt ne jemi dhe në fundjavë, prag fundjave. Unë e di që ti fundjavat i ke pasur të shtrenjta me Latifin…Si është një fundjavë tani për Ritën?

E ndiej shumë mungesën, sepse na pëlqente gjithmonë shumë të udhëtonim qoftë brenda vendit, qoftë jashtë vendit. Ishin tamam ato orët që ishim vetëm me njëri tjetrin, por përsëri kam investuar shumë në dashuri dhe kam shume njerëz qoftë nga ana e familjes Latifit qoftë nga ana ime, të cilët më kane mbushur jetën plot.

Nuk e përjetoj si dramë thjeshte është një dhimbje e madhe qe ndonjëherë duket sikur nuk e përballon dot.

Edhe në fundviti vendose që ta kaloje atë atmosferën festive, do ishte kjo ta quajmë dëshirë e Latifit?

Po shume e vërtetë, sepse ne gjitha këto gjera i kemi bërë bashke dhe jam e bindur që të njëjtën gjë do donte dhe ai. Gjithmonë e pyes veten ta bëj këtë gjë, pastaj  e pyes veten po ai do ta bënte, edhe i bëj gjërat duke menduar që edhe ai do ta bënte.

Kur flasim për ty, të kanë cilësuar si një personazh që ke thyer tabutë. Marrëdhënia mes teje dhe Latifit ishte një thyerje tabush? E mendon që ndonjëherë gjërat janë të përcaktuara të parashikuara për të qenë të tilla, lidhja mes poezisë, dashurisë, jetës…

Po shumë bukur, nganjëherë duket se gjërat janë të përcaktuara, ajo forca gravitetit, ajo tërheqja mes yjeve të ndryshëm. Dhe kur e ndien këtë gjë, me intuitë me ndjeshmëri marrin rezultate të mrekullueshme. Duke i kombinuar është më bukur.

E ndiemë që nuk duhej humbur si lidhje, na ndihmonte shumë edhe ajo pjesa idealiste, kishte idealizimin e profesorit, idealizimin për tu fshirë kufijtë, pra kishte një patriotizëm por aspak patetik, për fshirjen e të gjithë kufijve. Dhe ne nuk zgjodhëm pushkën, zgjodhëm një arme më të fortë se pushka për heqjen e kufijve që ishte pushka. E nisëm me librin shkollor, me librin artistik, ngritëm degët tona, në Maqedoni dhe Kosovë, dhe mendoj që kemi bërë një gjë të mrekullueshme. Ngritëm një piramidë vlerash të merituara.

Asgjë nuk ishte e përgatitur, këtë dua të them. Ndonjëherë gjërat nuk bëhen me plan, njerëzit prishin ndjenjën e intuitës ndjeshmërisë për të ndjekur planin. Jo mos e prish ndjenjën e rrjedhshmërise, ndjeje, nuhati gjërat, pastaj fut në mes arsyen dhe guxo. Prandaj në këtë pikë mendoj që tabuja që shkelëm në dashurinë tonë na ndihmoi të thyejmë tabunë e përgjithshme. Fati është me guximtarët, ashtu e nis dhe librin Latifi dhe ashtu e përfundon.

Në fakt dua të ndalem edhe tek libri ‘Kufiri’, sepse përmende dhe kufijtë. E kishe menduar ndonjëherë që do ishe personazhi i librit të partnerit tënd?

Kemi lexuar aq shumë libra, e mendoja veten si personazh i Kadaresë që ne studentët adhuronim. Dhe normale që të lindte ideja pse të mos jem një personazh i një shkrimtari të famshëm. Dhe kur u bë libri Kufiri, u befasova nga Latifi se ishte shkruar aq bukur. Ai libër nuk është vetëm për dashurinë, është për të gjithë kufijtë shqiptarë, tregon dramën e burrave shqiptarë, tabutë ne lidhje me fenë, ne jemi mësuar që shkrimtarët të shkruajnë për dramën e femrave, kurse Latifi me sinqeritetin e tij ka shkruar për dramën e burrave, të cilët kanë jetuar ne ish jugosllavinë e asaj kohe.

Dhe kur e lexova një gjë të tillë, mendoja a jam a nuk jam unë. Isha bërë personazh.

Dhe, cilat janë pikëtakimet mes Ritës partnere të Latifit dhe Ritës personazh të librit?

Ne na kane funksionuar gjërat se kemi qenë një puzzle shumë i bukur në mbështetje dhe tolerancë, partnerë në biznes partnerë në jetë, kishim përplasjet tona por që vendimet janë marrë gjithmonë bashkë.

 Deri ku arrinte kufiri përplasjes Rita?

Shkonte deri atje, sa ty të dukej që dikush do thotë do bëhet si them unë dhe do fillonte krisja. Dhe pikërisht atëherë iknim në heshtje të dy, mendonim për të gjitha problemet, tërhiqeshim në heshtje, unë mendoj qe ciftet kanë nevoje për lirinë dhe distancen, dhe pastaj ktheheshim sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Dhe ështe e habitshme që të dy toleronim, nuk vuanim nga egoizmi, ne ishim të dy kapitenë. Ndonjëherë dukej si matematike, por ky ekuilibër ishte si një harmoni.

Unë kam lexuar shkrimin e vajzës tuaj, që është dedikim i ndjerë. Xhaxhi Latifi sic është shprehur ajo që e thërriste, ishte ndikimi që ti kishe apo karakteri i Latos?

Mendoj që ishin të dyja. Vajza ka qenë e vogel, paraadoleshenca, por falë qetësisë se Latifit ne bisedonim. Për mua më e rëndësishme se të gjitha është biseda, dhe jo të bisedosh duke u ulur e duke treguar që kjo është e mirë bëje kështu. Unë gjithmonë mendoj që lërë problemin te qetësohet dhe pastaj vepro, dhe asnjëherë nuk e kemi mësuar vajzën me idenë e blerjes së dashurisë me para, as me vajzën time as me fëmijët e tij, ai është gjysh i katër nipave, ne kemi marrëdhënie të shkëlqyer, dhe sa herë takohemi bashkë, na duket sikur Latifi është mes nesh.

Do doja të dija ne konceptin tënd, pas ikjes së partnerit çfarë ndryshon në konceptin e kohësisë?

Si njeri i librave shikoj shumë kapituj në librin tonë të jetës, në librin tim të jetës, kapituj që edhe kur mbyllen kanë vazhdimësi me kapitullin tjetër. Ne ndonjëherë kemi atë ndjesinë që u mbyll ky kapitull dhe s’ka më. Jo, është një libër në vazhdim jete dhe secili kapitull ka ndarjen shkëputjen, ka pjesën e e vet të re.

Rita vet si e sheh kontaktin që ka me publikun, ka arritur të depërtojë në Ritën e guximshme dhe pa tabu, dhe publiku a ka arritur ta pranojë në tërësinë e saj?

Unë mendoj, që qëkur ndodhi skandali, skandal ta quajmë se ishte hera e parë në letërsi që ndodhte një skandal dhe vetëm për një titull. U përhap aq shumë se ishte titulli, dhe ajo i ngacmoi njerëzit. Thonin që fjala e pisët nuk futet në poezi, por teoritë moderne i pranojnë të gjitha, aq më tepër arti i pranon të gjithë. Arti do futet në instiltin njerëzor.

Unë kam menduar që ka një ndryshim të madh mes asaj çfarë ndodhi, dhe asaj si kalon koha. U fyejta shumë, por nuk ofendova askënd. Kam menduar që edhe mund të kenë pasur të drejtë, për  shkak të formimit të tyre, njerëzit duan edhe të shajnë edhe të ofendojnë, lëri të bëjnë çtë duan.

Unë avash avash fillova të ndiej qe kam arritur të fitoj, dhe e kam fituar shkallë shkallë simpatinë jo vetëm të rretheve letrare, por dhe simpatinë e lexuesve. Është një betejë e gjatë e vështirë, por njerëzit kanë filluar të pranojnë këtë lloj poezie, apo atë qe shkruaj unë që mund të jetë vërtet anti tabu për shoqërinë shqiptare.

Në eskperiencën tënde profesionale dhe jetësore, mendon se kemi arritur të thyejmë fenomenin Tabu?

Mendoj që jetojmë në dy ekstreme, ne përjetojmë fenomenin e zhveshjes aty ku nuk duhet, ose e quajmë vlerë zhveshjen, por kemi dhe ekstremin që themi fjalë fyese dhe ofenduese, ose bëhet humor me gjëra qe nuk janë për humor. Ose qeshim me një fëmijë që përdor një fjalë që ne e quajmë të turpshmë, dhe në vend që ti mësojmë që ky është organi mashkullor, qeshim ose i bërtasim. Si do rritet ky fëmijë ose një brez i tërë kur nuk pranojmë të flasim sëriozisht?

Rita çfarë të bën të fortë, për tu përballur me sfidat e jetës, me largimet, me tërësinë?

Unë mendojnë që dashuria ka qenë një forcë shume e madhe tek unë. Pa poezi do jetoja shumë gjatë por jo pa dashuri, është një ndjesi që të vjen nga brenda, dhe kur të mbush kjo ndjenje të plotëson, i bën të gjitha gjërat bukur.

Kjo është ajo që të bën që edhe kur nuk buzëqesh të duket sikur je duke buzëqeshur, sikur të gjithë thonë po buzëqesh. Dashuria të jep dhe optimizëm.

A do e kthejë Rita ketë vit në një vit të buzëqeshur, pas  ngrysjes së vitit të kaluar?

Do përpiqem ta kthej, ashtu e kam nisur dhe do jetoj me atë pjesën që do mësohem me dhimbjen, dhe do kem pranë dritën e njeriut tim të dashur, siç kam dhe dritën e prindërve të mi që i kam humbur, do kem dhe dritën e të dashurit tim.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re