Që prej datës 21 tetor, askush nuk ka dëgjuar prej tij. Ruzhdi Hoxha është zhdukur pa lënë gjurmë, teksa policia i nisi hetimet fill pas denoncimit të vëllait të 43 vjeçarit.

Hoxha është baba i dy fëmijëve dhe zotëron një biznes inertesh në dalje të Kamzës. Prej 13 ditësh ai nuk ka patur kontakte me familjarët, ndërsa komunikimi i fundit me të ka qenë në orët e vona të darkës.

Nga hetimet e deritanishme të policisë, nuk rezulton se Hoxha është i përfshirë në aktivitete të paligjshme. Është ndaluar miku i 43 vjeçarit, i cili mendohet të ketë patur kontaktin e fundit me sipërmarrësin.

Fillimisht çështja u trajtua nga hetuesit si largim nga banesa, por me kalimin e ditëve e mosgjetjen e 43 vjeçarit, hetimi tashmë ndodhet në duart e sektorit të krimeve të rënda si zhdukje apo rrëmbim personi.

Deri më tani është gjetur një celular në afërsi të ‘Shkollës së Bashkuar’, i cili dyshohet se i përket babai të dy fëmijëve. Hera e fundit që Hoxha është fokusuar nga kameat e sigurisë, ka qenë në autostradën Tiranë- Durrës, duke konsumuar një kafe me dy persona të tjerë.

Familjarët kanë treguar se për 7 ditë telefoni i 43 vjeçarit ka qenë i fikur ndërsa më pas është ndezur, por askush nuk i është përgjigjur thirrjeve të kryera.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re