Policia ka dhënë informacion në lidhje me arrestimin e 50-vjeçares e cila dyshohet se kishte rrëmbyer një 12-vjeçar nga Tirana.

Blutë bëjnë me dije se B. M., 50 vjeçe, banuese në Sarandë dyshohet se e shfrytëzonte 12-vjeçarin R. T., për të lypur. I mituri aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

“Paraditen e djeshme, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u bë e mundur gjetja e shtetasit të mitur R. T., 12 vjeç, i cili ishte larguar disa ditë më parë, nga banesa e tij në Tiranë. I mituri aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, shtetasja B. M., 50 vjeçe, banuese në Sarandë, pasi është konstatuar duke shfrytëzuar 12-vjeçarin për të lypur”, njofton policia.

Ronaldo prej dy ditësh kërkohej nga familjarët. Babai i tij, bëri apel në mediat sociale, duke publikuar foton e të birit dhe duke kërkuar nga çdo person që mund ta kishte parë, që ta kontaktonte.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re