Pavarësisht kërkimeve të policisë, ende nuk është gjetur asnjë gjurmë nga 3-vjeçari dhe gjyshja e tij që rezultojnë të zhdukur prej 3 ditësh.

Babai i fëmijës Avni Gjuni humbi jetën në shkurt të vitit 2023 në një aksident automobilistik që ndodhi te Kthesa e Kamzës. Automjeti ku ai ishte pasagjer doli nga rruga duke i shkaktuar vdekjen, raporton gazetarja e Top Channel, Vali Qyrfyçi.
Të tronditur pas kësaj ngjarjeje dhe largimit të nuses me nipin te prindërit e saj, Rexhep dhe Berile Gjuni vendosën të largohen edhe nga shtëpia e tyre në zonën e ish-Kënetës për t’u zhvendosur në një banesë me qira në të njëjtën zonë. Aktualisht, në të nuk ndodhet askush, ndërsa policia vijon kontrollet në bashkëpunim dhe me policinë e Kukësit dhe rrethet kufitare për të gjetur fëmijën dhe gjyshen, ndërsa 60-vjeçari Rexhep Gjuni është proceduar penalisht nga prokuroria për marrjen pa të drejtë të fëmijës.

Ai nuk ka bashkëpunuar me policinë duke qëndruar në pozitat e mohimit të dijenisë mbi vendndodhjen e nipit dhe gruas së tij. Fillimisht ka thënë se kanë shkuar në Kukës te familjarët e tyre, por atje nuk është gjetur.
Në bazë të legjislacionit tonë penal, “marrja pa të drejtë e fëmijës” është një kundërvajtje penale që dënohet me gjobë ose deri në 6 muaj burgim.
Përpos frikës se nusja mund të largohej jashtë vendit dhe të mos i lejonte të shihnin nipin, dyshohet se gjyshërit kanë pasur një konflikt me nusen edhe për përfitimet ekonomike pas vdekjes së djalit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re