TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së parë burgim i përjetshëm për Festim Bexhdilin për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Festim Bexhdili ishte kopshtari i kompleksit, “Golden” në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit.
Sipas fotove nga kamerat e sigurisë, Prenga mendohet se u dhunua derisa humbi jetën. Asgjësimi i trupit dyshohet se u bë në fshatin Pjezë, shumë pranë kompleksit.
Për ngjarjen u arrestuan Bajram Hajri, Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton Hajri, Festim Bexhdili dhe Ardian Doçaj.
Sipas hetuesve, familja Prenga zhvilloi edhe negociatat me rrëmbyesit dhe një pjesë e kokainës u dorëzua, por ndërkohë Jan Prenga kishte humbur jetën.
Njoftimi i Apelit të Posaçëm:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Dhimitër Lara (anëtar), më datë 25.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 635 akti, datë 08.11.2024 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 16, datë 20.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me të pandehurin F.B. – disponuar mbi ankimet e paraqitura ndaj vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht.
– U shpall në Tiranë, sot më datë 25.07.2025.