Ambasada e SHBA-së në Beograd ka publikuar një deklaratë të Departamentit të Shtetit për vendimin e Qeverisë së Kosovës, me të cilin janë refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit për targa.

Qeveria amerikane beson se Prishtina dhe Beogradi duhet “të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë efikase për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, që synon njohjen reciproke” Foto: AP

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës refuzoi kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit për targa, njoftoi Ambasada Amerikane në Beograd, duke iu referuar deklaratës së Departamentit të Shtetit.

Qeveria e Kosovës, tri ditë para skadimit të afatit, vendosi të zbatojë vendimin e saj për riregjistrimin e targave të lëshuara në Serbi në faza, pavarësisht kërkesave të BE-së dhe SHBA-së që të presin edhe dhjetë muaj për zëvendësimin e targave serbe me RKS.

Në deklaratën e Departamentit të Shtetit të publikuar nga Ambasada Amerikane në Twitter, theksohet se Kosova ka të drejtë të aplikojë regjimin e targave në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për Normalizimin e Marrëdhënieve, por zgjatja e afatit “është në interes të arritjes së progresit në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Qeveria amerikane beson se Prishtina dhe Beogradi duhet “të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë efikase për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, që synon njohjen reciproke”.

Është e rëndësishme që të dyja palët të reduktojnë retorikën nxitëse dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të demonstruar angazhimin e tyre për bashkëpunim konstruktiv për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për rajonin, thuhet nga Uashingtoni.

Afati i ri-regjistrimit

Më 29 qershor, qeveria e Kosovës morri vendim për heqjen e të gjitha targave të lëshuara në Serbi për qytetet e Kosovës, ri-regjistrimin e automjeteve me etiketë të Republikës së Kosovës (RKS) dhe aplikimin e vendimit nga 1 gushti, gjë që shkaktoi tensione në veri të Kosovës, i cili është i banuar kryesisht nga serbët.

Pas protestave të serbëve dhe bllokadave të pikave kufitare, qeveria e Kosovës caktoi 31 tetorin si afat të ri dhe të enjten serbët e Kosovës thanë se do të bllokonin rrugët nëse kjo ndodh.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Beslimi tha të premten në mbrëmje se vendimi për riregjistrim po shtyhet deri më 21 janar 2023 dhe se shpreson që 21 prilli të jetë afati deri në të cilin nuk do të zbatohen sanksionet ndaj atyre që refuzojnë të ri-regjistrojnë automjetet e tyre.

Në një video-mesazh në Konferencën e Sigurisë në Beograd, ai tha se shpreson që procesi “do të përfundojë pa asnjë incident” deri në afatin përfundimtar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se pala kosovare nuk do të fillojë menjëherë masat emergjente.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka theksuar se është i zhgënjyer nga fakti se në kushtet e luftës në Ukrainë dhe krizës botërore në ushqim dhe energji, në Kosovë flitet për targa.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re