Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në një deklaratë të dhënë sot për mediet në ambientet e jashtme të Kuvendit, tha se Partia Demokratike ka hartuar një projektligj në mbështetje të mësuesve, i cili ndodhet në sirtarët e Kuvendit prej nëntorit të vitit të shkuar.

Zhupa nënvizoi se prej një viti e gjysmë mësuesve që kanë mbaruar përpara sistemit të Bolonjës, me një VKM nga ish-ministrja Ogerta Manastirliu iu hoq pagesa e kategorisë që nuk i cilëson ata më me arsim të lartë apo me master.

“Këtu filloi një problem shumë i madh për 11 172 mësues të sistemit parauniversitar në Shqipëri, të cilët nisën betejën me peticione e protesta. Këto kaluan në vesh të shurdhër. Unë atëherë kam qenë kryetare e Komisionit të Edukimit dhe kam bërë dëgjesa me ministren Manastirliu, e cila e ka mbrojtur me fanatizëm këtë vendim duke e konsideruar si barazi me punonjësit e administratës publike”, tha Zhupa.

Deputetja e PD-së, shtoi se Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese për ta shfuqizuar këtë VKM që ishte në kundërshtim me ligjin “Për arsimin parauniversitar”.

“Në Gjykatën Kushtetuese duke qenë e ishin 8 anëtarë është bërë ndarja 4 me 4 dhe nuk kanë arritur ta rrëzojnë këtë vendimmarrje të qeverisë”, vijoi ajo.

“Qeveria doli palë kundër mësuesve për t’iu hequr atyre këtë përfitim që kishin marrë ndër vite. Kur gjykata nuk arriti të marrë një vendim, unë kam vendosur t’i mbështes mësuesit me një projektligj të ri, të cilin e kam depozituar në 21 nëntor 2025 dhe që vazhdon të jetë në sirtarët e Kuvendit”, theksoi Zhupa, ndërsa shtoi se ky projektligj parashikon ndryshimin e ligjit të Arsimit të Lartë ku edhe mësuesit që kanë mbaruar përpara sistemit të Bolonjës të cilësohen të kualifikuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re