Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se “zhurma e opozitës për komisionet hetimore ka qenë një furtunë në gotë”.

Në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Balla tha për gazetarët se ishte ligji për Komisionet Hetimore që adresoi vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas çështja u zgjidh.

“Prej shumë vitesh kemi pasur vendime të gjykatës kushtetuese,  edhe rasti i komisioneve hetimore parlamentare.  E patë që e gjithë zhurma e opozitës në kuvend për çështjen e komisioneve hetimore ishte një furtunë në gotë. Sepse ishte ligji i komisioneve hetimore i miratuar nga shumica që adresoi vendimet e gjykatës kushtetuese që i dha zgjidhje” , tha Balla.

Edhe kryeministri Rama me anë të një reagimi u shpreh se ishin dakord që sipas kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të miratoheshin komisionet hetimore.

“Po ne këtë e kemi thënë e stërthënë dhjetra herë, qyshse refuzuam të miratojmë kërkesa për të ngritur komisione hetimore jashtë asaj kornize! Dhe nëse deputetë të Kuvendit që mbledhin firmat për të ngritur një komision hetimor e bëjnë kërkesën brenda asaj kornize, ne s’kemi as të drejtë, as arsye e as mundësi që ta refuzojmë. E kurdoherë që kjo të ndodhë vota jonë është sigurisht pro”, tha Rama, i cili theksoi se “nuk ka pazar me non graten”.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re