Roja bregdetare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dhënë për herë të parë shenja shprese për gjetjen e nëndetëses turistike, që u raportua  e zhdukur pas zhytjes të dielën në ujërat e Atlantikut për të vëzhguar rrënojat e Titanikut.

 

Autoritetet sqaruan se janë zbuluar zhurma nënujore në zonën e kërkimit. Megjithatë nuk u dhanë detaje se për çfarë tingujsh bëhet fjalë. Ekipi i shpëtimit është në luftë më kohën, pasi sipas zyrtarëve personave, që ndodhen në nëndetëse iu kanë mbetur më pak se 40 orë oksigjen.

 

Burime të ndryshme bënë të ditur se ekipet, që po kërkojnë për nëndetësen dëgjuan tinguj çdo 30 minuta. Katër orë më vonë, pasi u vendosën pajisje shtesë tingujt mund të dëgjoheshin ende.

 

Roja Bregdetare tha se tashmë operacioni është përqendruar te zona nga ku kishin ardhur zhurmat, por ende nuk ka rezultate.

 

Në nëndetëse ka pesë persona. Një prej tyre është Stockton Rush, CEO dhe themelues i OceanGate, kompania që udhëheq udhëtimin. Po ashtu në mjetin nënujor është biznesmeni britanik, Hamish Harding, miliarderi pakistanez, Shazada Davud së bashku me djalin i tij, Suejman dhe zhytësi francez, Paul-Henri Nargjeolet.

 

Nëndetësja është pjesë e një ekspedite tetë-ditore drejt rrënojave të Titanikut. Ajo filloi zbritjen të dielën në mëngjes, por humbi kontaktin me anijen mbështetëse që e transportoi në vend, më pak se dy orë pas zbritjes së saj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re