Makina në të cilën Mullah Omar, lideri historik i talebanëve, u largua nga sulmet ajrore të SHBA-së pas sulmeve të 11 shtatorit, është gjetur në Afganistanin lindor, ku u “varros” për ruajtje 21 vjet më parë, thanë zyrtarët.

Një Toyota Corolla e bardhë u gropos në kopshtin e një fshati në provincën Zabul në Afganistanin juglindor dhe urdhri për gërmimin e saj u dha këtë javë nga zyrtari taleban Abdul Jabbar Omar.

Automjeti është “ende në gjendje të mirë, vetëm pjesa e përparme është dëmtuar pak”, tha Rahmatulah Hamad, drejtor i informacionit dhe kulturës në provincën Zabul.

“Kjo automjet u gropos nga muxhahidët në kujtim të Omarit në vitin 2001 për ta ruajtur atë nga shkatërrimi”, shpjegoi ai.

Zyrtarët talebanë publikuan foto të automjetit të vendosur në një gropë të madhe dhe pjesërisht të mbuluar me dhe.

Rahmatullah Hamad tha se talebanët synonin ta shfaqnin atë në muzeun kombëtar në kryeqytetin Kabul si një “monument historik”.

Mullah Omar themeloi talebanët në qytetin e Kandaharit dhe solli në pushtet këtë lëvizje në vitin 1996, pas një lufte të përgjakshme civile.

Afganistani më pas u bë një strehë për grupe të ndryshme xhihadiste, mes tyre edhe Al Kaedën, e cila u themelua nga Osama bin Laden, arkitekti i sulmeve terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara.

Udhëheqësit talebanë thanë këtë javë se Mullah Omar u largua nga Kandahari me një Toyota Corolla.

Mullah Omar vdiq i fshehur në vitin 2013 dhe lajmi për vdekjen e tij u mbajt i fshehtë nga autoritetet për vite me radhë.

Pas 20 vjetësh dhune dhe kryengritjeje sektare, Uashingtoni dhe aleatët e tij të NATO-s u tërhoqën nga Afganistani në gusht 2021 ndërsa talebanët rimorën Kabulin dhe pjesën tjetër të vendit me një ofensivë të rrufeshme pothuajse të pakundërshtueshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re