Gjatë podcastit të kësaj të diele, kryeministri Edi Rama foli ndër të tjera edhe për zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës në Tiranë.

Sipas tij, kjo zhvendosje e një drejtorie vendore në qendër nuk është as e para dhe nuk do të jetë as e fundit.

Shefi i qeverisë shtoi se shërbimet kadastrale sot merren online përmes platformës E-Albania dhe nuk është nevoja për t’u paraqitur fizikisht pranë zyrave.

Dy fjalë për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. Dhe janë dy fjalë që duhen thënë, sepse edhe një herë tjetër u ngatërrua qëllimisht ose më falni idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv me sportele, radha, ecejake, zvarritje etj, etj, në një model shërbimesh online, ende i pambyllur plotësisht në të gjithë ciklin e vet, por gjithsesi përmes platformës, e-Albania, ky model mundëson që shumica e procedurave kadastrale, nuk kanë nevojë për paraqitjen fizikisht në një sportel të qytetarit. Kartela pasurie, vërtetime, regjistrime aktesh, kontratash, rivlerësime, të gjithë aplikohen dhe ndiqen online nga kudo, ku ndodhet qytetari, edhe nga Amerika.

Tani, gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje në atë lëvizje, lidhet, jo vetëm me një perceptim të gabuar apo edhe informim të mangët, por edhe me një mendësi, e cila duhet përmbysur dhe duhet përmbysur, duke pasur parasysh që e nesërmja e afërt, jo e largët e Kadastrës, është një shërbim si plot shërbime të tjera, pa sportele, pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim, si një e drejtë themelore dhe një e drejtë që merret përmes celularit, që merret përmes kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendodhjen e zyrës.

Ky, nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ndërkohë, ajo që po punojmë për ditë pa pushim është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra, jo më aplikim online dhe pastaj marrje mbrapsht të shërbimit me postë, por aplikim online dhe marrja e shërbimit menjëherë po aty online”, është shprehur Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re