Organizmi i Gjysmëmaratonës së Beratit tashmë është shndërruar në një event të përvitshëm, në të cilin marrin pjesë jo vetëm atletë vendës, por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi etj.

Për zhvillimin në kushte sa më optimale të edicionit të 7 – të të kësaj gare u angazhuan drejtuesit e kulturës dhe të sporteve në Bashki, drejtuesit e Klubit Shumësportësh të Tomorit, sportistë të atletikës, dashamirës të këtij sporti etj.

Në nisje të këtij eventi përshëndetën Presidenti i FSHA – së, Gjergji Ruli, dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHA – së, Nikolin Dionisi, të cilët falenderuan Bashkinë e Beratit, por edhe kampionin e qytetit tonë në këto gara, Gazmend Shehun, për organizimin dhe përmasat që i kanë dhënë këtij eventi, duke e shndërruar atë në një ngjarje me karakter rajonal, ku atletë të shumtë nga Shqipëria dhe vendet përreth shprehin interesin e tyre për t’u bërë pjesë e kësaj gare.

Gjithashtu Presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli, theksoi se vitin tjetër ky event do të certifikohej nga federata do të mbeshtetej me logjistikë, me donacione dhe gjithçka tjetër, por njëkohësisht do të mundësohej edhe riregjistrimi pas një shkëputje disavjeçare të atletikës beratase, si pjesë përbërëse e këtij organizmi sportiv. Distanca e garës së përshkuar nga atletët ishte 21 km. Ajo u zhvillua përgjatë rrugës nacionale Berat – Ura Vajgurore – Berat.

Për mbarëvajtjen e kësaj gare përveç mbështetjes së donatorëve dashamirës të sportit të atletikës, një ndihmë të madhe përsa i përket sigurisë rrugore kanë dhënë edhe forcat e rendit dhe policia e qarkullimit rrugor.

Atletët pjesëmarrës në Gjysmëmaratonën e Beratit ishin të moshave të ndryshme, që nga garuesi më i ri Elfi Hoxha e deri te garuesi më i vjetër, 83 – vjeçari, Nexhat Xhemalçe.

Një risi e kësaj maratone ishte prania e grupeve të sportistëve të Trial Runing Albania, Tiranë, dhe e garuesve nga radhët e Policisë së Shtetit.

Për të disatën herë, ai që mbërriti i pari në finishin e kësaj gare ishte atleti i njohur korçar Ilir Këllezi me kohën 1 h 14’ 38’’, në vendi e dytë maqedonasi Aleksandër Kiradijev me kohën 1h 18’ 28’’, i treti kosovari Naim Gashi me kohën 1h 26’ 18’’. Ndërsa si fitues i vendit të parë nga forcat e policisë dhe të ushtrisë ishte drejtuesi veteran, Dashamir Cali.

Për femra e para që mbërriti në finish ishte Biljana Kiradijev me kohën 1h 34’ 52’’, në vendin e dytë, Elire Mancha, dhe në vendin e tretë, Endjola Abdiu.

Në fund, për fituesit e kësaj gare nga organizatorët dhe drejtuesit e Federatës së Altetikës u ndanë certifikata, medalje dhe kupa, si dhe premio në vlerë monetare, përkatësisht sipas vende fituese, për meshkuj 300, 200 dhe 100 mijë lekë, ndërsa për femra 200, 100, 70 mijë lekë.

Qytetarë të shumtë përcollën me interes zhvillimin e këtij aktiviteti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re