Vetëm pak kohë pas dorëheqjes nga klubi i Realit të Madridit Zinedine Zidane nxorri në dritë arsyet e largimit të tij nga “los blancos”. Zizou deklaroi se preferoi që të largohet nga “rekordmenët e Spanjës”, pasi e ndjeu që nuk kishte më besimin e drejtuesve të klubit. Në një letër të drejtuar tifozëve Zidane I cili do të festojë 49-vjetorin pas vetëm katër javëve shkroi se disa mesazhe në lidhje me të ardhmen e tij janë nxjerrë qëllimisht. Trajneri nga Province shpjegoi se sipas tij mesazhe të tilla që bënin fjalë për rrezikun e shkarkimit u nxorrën enkas nëpër mediat e ndryshme. Në mesazhin e tij drejtuar tifozëve 48-vjecari nga Marseja shkruante se marrëdhëniet njerëzore janë thelbësore për të. Për hir të së vërtetës kjo është skuadra e vërtetë e trajnerit francez, ekip të cilin ai e ndërtoi sipas shijeve të tij, teksa shpenzoi 352,5 milionë euro vetëm në verën e vitit 2019. E vetmja dëshirë e papërmbushur e trajnerit me origjinë algjeriane ishte mesfushori francez Paul Pogba, sidoqoftë Zinedine Zidane preferoi që të lëshojë timonin e skuadrës merengues e tani kuptohen edhe arsyet e largimit të tij.

Letra e adresuar tifozëve në lidhje me arsyet e këtij veprimi u publikua nga e përditëshmja e mirënjohur spanjolle AS. Zizou qartësoi për fansat se nuk e ndjente më besimin për të cilin kishte nevojë dhe sipas tij klubi nuk i kishte ofruar ndihmesën e duhur, për një të ardhme të afërt apo qoftë edhe në lidhje me një projekt më afatgjatë. Zidane vijon në letrën e tij duke shkruar se nuk kërkonte aspak privilegje përsonale por thjesht një kujtesë më të mirë, pasi sipas tij nuk po kuptohet më rëndësia që kanë raportet njerëzore. Trajneri francez iu rikthye gjithashtu edhe vendimit për të marrë sërish drejtimin e “los blancos”, në marsin e vitit 2019. Zidane rrëfeu se e pranoi ofertën për t’u kthyer përsëri në drejtimin e Realit nga që ia kërkoi presidenti Florentino Perez, por mbi të gjitha edhe vetë tifozët e klubit madrilen. Zizou pranoi se 20 vitet e kaluar te klubi më I madh në historinë e këtij sporti si futbollist dhe trajner janë gjëja më e mirë që ka përjetuar.

Janë të shumtë ata që shpresojnë vërtet në një rikthim tjetër, pak a shumë njësoj si edhe dy vjet më parë, por Zinedine Zidane saktëson se këtë radhë situata është krejt e ndryshme krahasuar me herën tjetër, pasi trajneri marsejez shpjegoi se dy vjet më parë ai e ndjeu që skuadra kishte nevojë për një project të ri, pas shumë trofeve të fituar. Në letrën e tij trajneri francez pretendon se tani është harruar gjithcka cfarë ai ka ndërtuar në raportin e përditshëm me lojtarët dhe 150 personat që punojnë dhe kujdesen për skuadrën, madje ai kujton se në njëfarë mënyre madje është qortuar në lidhje me një fakt të tillë.

Zidane lëshoi akuza të forta ndaj krerëve të klubit, duke shtuar se i ka përjetuar vërtet shumë keq lajmet nëpër gazetat e ndryshme të vendit, që menjëherë pas një disfate kërcënonin pa humbur kohë me lëkundjen e postit të trajnerit, nëse do të humbte përsëri edhe sfidën e radhës. Sipas tij rrjedhje të tilla të informacioneve apo mesazhe të ngjashme krijonin situata të pakëndëshme dhe ndërhyrje brenda stafit. 48-vjecari nga Province në fund shtoi se e njeh mirë futbollin dhe kërkesat e larta që ka një klub me përmasat e Realit, apo qoftë edhe faktin që kur nuk fiton duhet të largohesh, sidoqoftë Zizou e mbylli mesazhin e tij duke shkruar se për fatin e tij të mirë ka stërvitur dhe drejtuar djem të mrekullueshëm, që ishin gati të jepnin jetën për të.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re