Një zjarr i rënë në pjesën greke të Kakavijës, ka detyruar zyrtarët policorë që të ndërpresin përkohësisht punën.
Zjarri ka rënë larg objektit përpunues të pasaportave apo doganës greke, por tymi i çliruar nga flakët, ka nxitur policët fqinj që të zbatojnë protokollin e emergjencave të zjarreve duke ndaluar procesin e kalim-përpunimit si në hyrje dhe në dalje të territorit grek.
Kjo ka shkaktuar radhë kilometrike në të dy anët e kufirit. Në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse greke si dhe një helikopter për të shuar flakët e zjarrit.
Zjarri i rënë në fshatin Kakavijë ditën e sotme ka marrë përmasa masive. Raportohet se si pasojë e përhapjes së zjarrit janë djegur 4 banesa, ndërsa fatmirësisht janë shpëtuar personat brenda tyre.
Kryetari i Bashkisë Dropull, Dhimitër Toli, bën me dije se situata është emergjente dhe se Greqia ka ardhur në ndihmë për shuarjen e flakëve me ndërhyrje nga ajri.
Flakët raportohet se kanë kaluar edhe në territorin e shtetit grek dhe se kanë arritur deri në Kishën e fshatit .

