Anija luftarake më moderne dhe më e shtrenjtë e SHBA-së, USS Gerald R.Ford, po lundron me vështirësi drejt brigjeve të Kretës pas një zjarri masiv në bord që ka lënë pas pasoja të rënda.
Sipas raportimeve të fundit, anija 13 miliardë dollarëshe ka nevojë urgjente për ndërhyrje teknike pasi flakët shkatërruan qindra dhoma gjumi dhe lanë të lënduar një numër të madh të personelit.
Siç raporton britanikja The Independent, përmasat e dëmit janë alarmante. Rreth 200 marinsa u trajtuan për lëndime të lidhura me thithjen e tymit pasi zjarri shpërtheu në zonën kryesore të lavanderisë. Situata u përkeqësua aq shumë, sa një anëtar i shërbimit u evakuua me urgjencë me avion drejt një qendre spitalore.
Pentagoni në heshtje: Aksident apo sulm?
Ndërkohë që anija po tërhiqet drejt Greqisë, një re misteri ka mbuluar shkakun e vërtetë të incidentit. Pentagoni ka qenë jashtëzakonisht i rezervuar në dhënien e informacioneve, duke mos konfirmuar nëse bëhet fjalë për një defekt teknik apo për diçka më ogurzezë.
Ky incident vjen në një moment tensioni të lartë, teksa Ford ishte stacionuar në Lindjen e Mesme gjatë konfliktit SHBA-Izrael kundër Iranit. Heshtja e zyrtarëve amerikanë, ka nxitur spekulime nëse zjarri ishte thjesht një aksident i brendshëm apo rezultat i një sulmi të mundshëm raketor nga Irani, duke pasur parasysh pozicionin e anijes në zonën e nxehtë të luftimit.
Moral në rënie dhe kolaps logjistik
Përveç dëmeve nga zjarri, The Independent, nënvizon se kushtet e jetesës në bord kanë arritur pikën kritike. Mbi 600 anëtarë të ekuipazhit kanë humbur shtretërit e tyre, duke u detyruar të flenë nëpër dysheme dhe mbi tavolinat e mensave.
Por problemet nuk mbarojnë me zjarrin. Aeroplanmbajtësja po përballet edhe me një kolaps të sistemit të tualeteve, një problem kronik ky që kërkon shpëlarje të kushtueshme me acid prej 400.000 dollarësh për çdo ndërhyrje.
Megjithëse ushtria amerikane deklaron se sistemi i shtytjes bërthamore mbetet funksional, The Independent vëren se aftësia operacionale e këtij gjigantit 97.000 tonësh është komprometuar rëndë, të paktën për momentin.
Tashmë sytë janë drejtuar nga Kreta, ku pritet të vlerësohet nëse mjeti simbol i krenarisë së teknologjisë amerikane do të mund t’i kthehet misionit apo do të qëndrojë gjatë në kantier. /tesheshi.com/



