Një zjarr i fuqishëm është shfaqur në fshatin Duhanas në Berat. Zjarri është shkaktuar aksidentalisht nga disa prej banorëve të zonës, që ishin duke djegur mbeturinat në tokat e tyre. Era e fortë ka favorizuar flakët e zjarrit, duke i bërë ato të pakontrollueshme nga vetë banorët, të cilët kanë njoftuar policinë.

Flakët u përhapën me shpejtësi drejt tokave të tjera bujqësore, ndërkohë që në rrezik nga zjarri ndodhet nën/stacioni elektrik i fshatit. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të repartit të shpëtimit nga zjarri, të cilët po përpiqen të neutralizojnë flakët dhe të shmangin përhapjen e tyre drejt nën/stacionit elektrik.

Duke qenë se zona është favorizuese për kalimin e mjeteve deri në zonën e zjarrit, në aksionin për fikjen e tij janë përfshirë 3 mjete zjarrfikëseje dhe dhjetëra efektivë zjarrfikësish. Edhe pse vala e madhe e zjarrit është minimizuar, zjarri vijon ende të përparojë, ndërkohë që ka ende disa vatra aktive në tokat e përfshira nga flakët.

(BalkanWeb)

Balkanweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re