Një kamion që transportonte kafshë cirku shpërtheu në flakë në një autostradë në Indiana herët në mëngjesin e së shtunës, duke bërë që devetë, zebrat dhe një kalë të dalin në rrugë e të bredhin në zonë.

Sipas New York Post, policia nxitoi për të kapur devetë, të cilat shihen në video teksa enden përgjatë Interstate 69, me tymin që dilte nga kamioni i djegur në sfond.

Pesë zebra u gjetën duke përtypur barin aty pranë, të paprekur nga kaosi dhe sirenat e automjeteve të urgjencës.

Kamioni, i cili ishte plot me kafshë, morri flakë rreth orës 2 të mëngjesit në Grant County, rreth 95 km në verilindje të Indianapolis. Për fat të mirë, dy policë që patrullonin në zonë panë se çfarë kishte ndodhur dhe nxituan të çlironin kafshët nga kamioni i djegur. Më pas iu desh t’i kapnin për t’i çuar në siguri. “Nuk është diçka që e shohim çdo ditë,” tha ndihmës sherifi Brent Resett.

U deshën rreth katër orë para se zjarri të shuhej plotësisht dhe autostrada u rihap pasi kafshët ishin shpëtuar.

Policia mbajti devetë, zebrat dhe kalin me gardhe të improvizuara derisa kamionët e tjerë nga Cirku i Shenjtë mbërritën dhe morën kafshët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re