Një zjarr ka rënë në një ndërtesë katër katëshe në Berat.

Banesa e Nuri Hibro, që ndodhet prapa bashkisë së qytetit, në lagjen ‘10 Korriku’, është përfshirë nga flakët pak minuta më parë.

Vila katër katëshe kishte kaldaja në të gjitha katet, të cilat ishin të lidhura me oxhakun me dru dhe mësohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga bllokimi i oxhakut që mendohet të ketë kthyer mbrapsht flakët.

Flakët dhe tymi janë përhapur me shpejtësi në të gjitha katet por falë ndërhyrjes së menjëhershme të zjarrfikëseve flakët e zjarrit janë neutralizuar shpejt. Në banesë jetonte vetëm një çifti i moshuar, të cilët janë nxjerrë jashtë pa lëndime.

Në vendngjarje, përveç forcave të shumta zjarrfikëseje kanë shkuar edhe forca të policisë, që kanë bllokuar për disa minuta qarkullimin e mjeteve nga frika e flakëve dhe tymit, pasi banesa ndodhet në anë të rrugës së vetme që përshkon qytetin.

Edhe pse paraprakisht mendohet se zjarri mund të ketë ardhur si pasojë e oxhakut, ekspertët në vendngjarje po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re