Skip to content

Zjarr në pyjet e ahut në malësinë e Prrenjasit/ Forcat zjarrfikëse luftë me flakët në terren të vështirë malor

zjarrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrr

Një vatër zjarri e regjistruar në fshatin Shqiponjë të Bashkisë Prrenjas, në zonën e njohur si “Lukovë – Guri i Mekut”, ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pyje ahu, duke vënë në gatishmëri strukturat vendore të emergjencave civile dhe shërbimet zjarrfikëse.

Sipas burimeve zyrtare të Bashkisë Prrenjas, efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSh) kanë qenë të angazhuar pa ndërprerje gjatë gjithë ditës së djeshme në përballimin e flakëve, ndërsa edhe gjatë ditës së sotme kanë vijuar punën intensive për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive.

Operacioni është zhvilluar në një terren tepër të vështirë malor, çka ka vështirësuar ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse dhe ka bërë të domosdoshëm angazhimin e forcave në këmbë për të frenuar përhapjen e flakëve drejt sipërfaqeve të tjera pyjore.

Në këtë operacion kanë bashkëpunuar ngushtë ekipet e Bashkisë Prrenjas, Policia e Shtetit, shërbimi pyjor, si edhe banorët e zonës, të cilët kanë dhënë kontribut në përballimin e situatës dhe në mbështetjen e forcave në terren.

Fatmirësisht, nga kjo ngjarje nuk raportohen dëme në njerëz apo banesa. Dëmet janë regjistruar vetëm në sipërfaqe pyjore me ah, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e vatrave të zjarrit.