Vijon të jetë aktive vatra e zjarrit që u aktivizua një ditë më parë në fshatin Miras të Devollit. Flakët janë përhapur në një zonë pyjore me bimësi të përzier.
Që prej orës 05:00 të mëngjesit të kësaj të enjte, forcat zjarrfikëse, shërbimi pyjor, strukturat vendore dhe banorët e zonës po punojnë intensivisht për shuarjen e flakëve. Në total janë angazhuar rreth 70 forca.
Për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së infrastrukturës rrugore, ndërhyrja në brendësi të pyllit është e vështirë, duke kërkuar ecje në këmbë për të mbërritur pranë vatrës. Zjarri ka marrë shtrirje të gjerë dhe ka përfshirë sipërfaqe me pisha, çka e bën situatën më problematike.
Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve. Ndërkohë, po punohet vetëm me mjete rrethanore nga ekipet në terren, pasi automjetete e shërbimit zjarrfikës nuk mund të futen.
Flakët janë nën kontroll dhe aktualisht nuk rrezikohen banesa, pasi janë përhapur në zonën pyjore. Megjithatë, puna vijon për lokalizimin dhe parandalimin e përhapjes më tej.
