Një vatër zjarri është regjistruar këtë të diel në zonën e Krastës, në Krujë, ku prej orëve të paradites forcat zjarrfikëse po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.
Sipas informacioneve paraprake, disa hektarë me pisha dhe shkurre janë përfshirë nga zjarri, i cili po përhapet me shpejtësi për shkak të erës.
Në terren ndodhen mjetet zjarrfikëse të qytetit, ndërsa në ndihmë janë thirrur edhe efektivët që ishin jashtë shërbimi për të përforcuar përpjekjet për shuarjen e flakëve.
Fatmirësisht, nuk raportohet për rrezik për banesat apo bizneset e zonës, ndërsa operacioni për neutralizimin e zjarrit vijon intensivisht. Autoritetet bëjnë apel për kujdes dhe bashkëpunim nga banorët për të shmangur çdo rrezik të mëtejshëm.



