Një zjarr është shfaqur në mënyrë të befasishme pranë disa banesave në lagjen periferike të qytetit të Beratit, në lagjen Uznovë. Kanë qenë vetë banorët e lagjes ata, që pas shfaqjes së zjarrit, kanë lajmëruar Repartin e Zjarrfikëseve.

Zjarri është neutralizuar dhe vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së menjëhershme të zjarrfikëseve, që kanë shpëtuar mrekullisht edhe banesat e lagjes, ku zjarri po afrohej. Zjarri mendohet të jetë vënë nga vetë banorët, që kanë kryer djegie të mbeturinave në oborret dhe kopshtet e tyre dhe i ndihmuar nga era, flakët e zjarrit janë përhapur me shpejtësi në tokat e kopshtet fqinje si dhe afër banesave.

Si rezultat i zjarrit është shkrumbuar totalisht një kasolle bagëtish, me gjithë rezervat ushqimore të kafshëve që ndodheshin brenda kasolles. Si pasojë e zjarrit janë djegur edhe rreth 2 ha toka bujqësore dhe disa pemë frutore. Nga ana e zjarrfikësve dhe policisë po punohet për identifikimin e shkaktarëve të këtij zjarri.

(BalkanWeb)

Balkanweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re