Skip to content

Zjarret djegin ullishta dhe pyje në Shqipëri

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Zjarret edhe këtë vit vijojnë të jenë shqetësim kryesor.

 

Në veri, një vatër e madhe është aktive prej disa ditësh në zonat malore të Vaut të Dejës. Nga flakët është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me pishë, bredh e bimë të tjera ndërsa ndërhyrja nga forcat zjarrfikëse ishte e vështirë për shkak të mungesës së rrugëve.

 

Banorët e zonës kërkojnë ndërhyrje nga ajri, pasi zjarri po përhapet me shpejtësi.

 

Ndërkohë autoritetet arritën të vendosin nën kontroll zjarrin e rënë një ditë më parë në pyjet e Krujës. Si rrjedhojë e flakëve, raportohet të jenë djegur qindra hektarë me shkurre si dhe mbi 2000 rrënjë me ullinj.

 

Situata u normalizua vetëm pas ndërhyrjes me helikopter.

 

Ndërkohë në qarkun Vlorë, si pasojë e zjarrit në Selenicë, u dogj një banesë dhe rreth 25 hektarë me shkurre.

 

Dëme të shumta pati dhe në frutikulturë, ndërsa për shuarjen e zjarrit u angazhuan 15 zjarrfikës dhe banorë të zonës.

 

Edhe zjarri në pyjet e Maliqit në juglindje të vendit u fik në kohë nga ana e autoriteteve. Forca zjarrfikëse, siç shihet nga këto pamje të siguruara nga Vizion Plus, arritën ta shuanin zjarrin me lopata.

 

Mungesa e pajisjeve për shuarjen e zjarreve, duket se vijon të jetë problematikë në radhët e reparteve zjarrfikëse edhe për këtë vit.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë