Presidenti francez Emmanuel Macron tha se zjarret që po digjen në Amazon janë një “krizë globale” dhe u bëri thirrje anëtarëve të G7 ta diskutojnë dhe këtë çështje në samitin e pritshëm në Biarritz këtë fundjavë.

“Shtëpia jonë është në zjarr. Fjalë për fjalë. Amazona, mushkëritë e planetit tonë që prodhojnë 20 përqind oksigjen, po digjen. Është një krizë ndërkombëtare. Anëtarët e G7 dua t’i shoh duke e diskutuar këtë problem”, shkroi presidenti francez në Twitter.

Deklarata e Macron është një parafrazë e një fjalie të shqiptuar në 2002 nga paraardhësi i tij Zhak Chirac në lidhje me ngrohjen globale, kur tha: “Shtëpia jonë po digjet!”.

Macron, i cili shkroi mesazhin e tij në Twitter në frëngjisht dhe anglisht, iu bashkua kështu Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili tha të enjten se ishte “thellësisht i shqetësuar” për zjarret në Amazona.

Situata në pyllin më të madh në planet është shumë e vështirë të vlerësohet. Sipas Institutit Kombëtar të Kërkimit Hapësinor (INPE), 75,336 zjarre janë raportuar në vend nga janari deri në 21 gusht, ose 84 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë e vitit të kaluar.

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re