Në vendin ku kujtohen ata që ranë për lirinë e Kosovës, mbrëmë u ndez edhe një herë “Zjarri i Lirisë”.
Në natën përmbyllëse të aktivitetit “7 Zjarret në 7 Zonat Operative të UÇK-së”, në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan, mes flakës dhe kujtimeve për luftën, të pranishmit folën edhe për një datë që po e presin me emocione, 16 shtatorin, kur në Hagë pritet vendimi për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se aktiviteti dhe sensibilizimi i qytetarëve janë një mesazh për drejtësinë në Hagë.
“Sepse lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë, ka qenë e pastër dhe ka qenë një luftë e pashmangshme për ta shpëtuar popullin e Kosovës, e që kësaj vije i kanë dhënë qëndrim edhe goditje edhe bashkësia ndërkombëtare, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Perëndimit dhe gjithë bota përparimtare, duke e sulmuar Serbinë edhe me aeroplanë, e që tregon se kjo luftë ka qenë çlirimtare e që nuk duhet askush me na e treguar historinë, sepse e dimë më së miri”, tha Isufi
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, i cili për KosovaPress ka thënë se pret që kjo datë t’i japë fund, siç e ka quajtur ai, padrejtësisë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Në pritje të një vendimi lirues është shprehur edhe drejtori për rini, kulturë dhe sport në Komunën e Vitisë, Valmir Sahiti.
“Pa asnjë dyshim, më 16 shtator të gjithë shqiptarët e presin lirimin përfundimtar të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si vendim i vetëm i drejtë ku përfundimisht lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të pastrohet dhe përfundimisht çlirimtarët do të kthehen në atdhe si fitimtarë. Sepse lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e pastër, ishte luftë për mbrojtje dhe luftë për liri, e mbështetur edhe nga aleanca më e fuqishme veriatlantike, NATO, dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, edhe gjithë procesi në Hagë ka dëshmuar që nuk ka asnjë fakt dhe asnjë barrë të provës që bie rëndom mbi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Sahiti.
Sipas tij, lufta e UÇK-së ishte luftë për mbrojtje dhe liri.
Edhe Isak Ramadani nga Bukoviku ka thënë se pret vetëm lirimin e tyre duke e përshkruar si të veçantë atmosferën në “Zjarri i Lirisë”, duke e lidhur atë me emocionet e vitit 1999.
Aktiviteti “7 Zjarret në 7 Zonat Operative të UÇK-së” është përmbyllur mbrëmë në Gjilan, me ndezjen e “Zjarrit të Lirisë” në Kodrën e Dëshmorëve. Aktiviteti është shoqëruar edhe me pritjen për vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, që pritet më 16 shtator.
