Situata e zjarrit në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjës mbetet e pandryshuar, por me një përhapje më të madhe të sipërfaqes së djegur drejt territorit grek, për shkak të erërave që kanë favorizuar lëvizjen e flakëve.

Që në orët e para të mëngjesit, forcat zjarrfikëse dhe strukturat mbështetëse janë angazhuar në terren për të monitoruar dhe kontrolluar vatrën, me qëllim parandalimin e përhapjes së zjarrit brenda zonës së mbrojtur të parkut.

Në operacion janë përfshirë rreth 40 forca dhe 9 mjete:

11 forca zjarrfikëse me 2 mjete zjarrfikëse, 6 forca të Zonave të Mbrojtura, 5 vullnetarë, 9 forca ushtarake (5 xhenierë, 4 kimistë) me 2 mjete ushtarake, 3 forca policie me 1 mjet policie, 4 forca pyjore me 1 mjet pyjor, 6 forca të bashkisë me 3 mjete agregate.

Bashkia e Kolonjës ka angazhuar gjithashtu tre mjete për hapje rruge pyjore, për të mundësuar afrimin e automjeteve zjarrfikëse sa më pranë vatrës së zjarrit, e cila ndodhet rreth dy orë larg në një terren të vështirë dhe të pashkueshëm me mjete të zakonshme.

Përgjatë terrenit ka rrezik nga municione të pashpërthyera, çka e bën ndërhyrjen edhe më të kujdesshme dhe të koordinuar. Autoritetet shqiptare janë në kontakt dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me palën greke, për të menaxhuar situatën në zonën kufitare.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re