Të paktën 15 njerëz u vranë në një zjarr që përfshiu një kamp që strehonte refugjatët rohinja në Bangladesh.

Dëshmitarët okularë krahasuan zjarrin, i cili vrau të paktën 15 njerëz, me një apokalips.

“Strehimoret u shkrumbuan, çadrat u shembën si domino. Njerëzit ishin në panik”, tha Mohammed Ahsan, i cili jeton në kamp.

Mayyu Khan tha se shumica e refugjatëve, të cilët ishin vendosur në kamp, ​​u strehuan në kampe aty pranë, dhe disa duhej të flinin edhe në rrugë.

Mujif Khan tha se ata ishin mobilizuar për të shuar zjarrin dhe kur ai arriti në strehë, fëmijët dhe të moshuarit nuk mund të largoheshin nga kampi për shkak të telave me gjemba në gardh.

Një tjetër dëshmitar okular, i cili dëshironte të mbetej anonim, vuri në dukje se telat me gjemba ngadalësuan mbërritjen e ndihmës dhe penguan hyrjen e brigadave të zjarrit në zonën e zjarrit.

Aktivisti i të drejtave të njeriut me bazë në Azinë Juglindore, John Quinley i Fortify Rights, gjithashtu tha se telat me gjemba e bën të vështirë evakuimin e refugjatëve.

Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, rreth 28 kilometra tela me gjemba rrethojnë kampe të caktuara që strehojnë muslimanë arakanezë në Bangladesh.

Zjarrfikësi Muhammed Abdullah vuri në dukje se ata kishin qenë duke e shuar zjarrin në kamp për më shumë se nëntë orë. Sipas tij, dy nga 15 të vdekurit ishin të mitur.

Kreu i Komisionit për Refugjatët, Ndihmën dhe Kthimin, Mohammed Shamsud Douza, tha se një hetim ishte nisur mbi shkaqet e zjarrit.

Përfaqësuesi i Komisionerit të Lartë të KB për Refugjatët (UNHCR) për Bangladeshin, Johannes Van der Klaauw, tha më parë se zjarri plagosi 560 refugjatë që po qëndronin në kamp, ​​ndërsa 400 janë shënuar si të zhdukur.

Kombet e Bashkuara më parë e kanë përshkruar pakicën muslimane rohinja në Mianmar si njerëzit më të përndjekur në botë. Sipas Amnesty International, më shumë se 750,000 rohinja u arratisën në Bangladesh në mes të veprimeve shtypëse të kryera nga ushtria e Mianmarit në gusht 2017.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re